Së shpejti fillon ndërtimi i Memorialit të dëshmorëve të Zajazit (FOTO)

Me moton “100 vjet përkujtim për dëshmorët dhe martirët”, mbrëmë në Kërçovë, përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe përfaqësues të SHVL-UÇK, përpara qytetarëve prezantuan projektin për ndërtimin e “Memorialit të dëshmorëve – Zajaz”. 

Projekti është i punuar nga arkitekti i njohur kosovar, Bujar Demjaha, dhe skulptori Thuma Thumai dhe sipas tyre projekti është në fazën finale përgatitore në të cilën tashmë kanë mbetur për tu diskutuar vetëm disa detaje jo shumë të rëndësishme. Pamja e tij, ashtu si u shfaq ne projektor ishte shumë e bukur, natyrale dhe madhështore. Memoriali është paraparë të ndërtohet afër ish objektit të komunës së Zajazit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe të kodrës afër objektit, vetë objektin dhe hapësirën ku është vendosur flamuri kombëtar për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Sipas arkitektit Bujar Demjaha, ky do të jetë një memorial me vlerë të qëndrueshme estetike dhe  i bukur dhe tërheqës për vizitorët edhe për shumë dekada tjera. 

“Qëllimi i këtij memoriali është promovimi i historisë dhe kulturës shqiptare dhe respektim maksimal i topografisë dhe natyrës ekzistuese. Në këtë pjesë do të ruhet gjelbërimi që është dhe vetëm pjesërisht do të shtrohet me pllaka. Do të ketë, parqe, fontana, ndriçues dhe stërpikës freskues. Ish shtëpia komunale do të jetë si shtëpi kulture dhe do të mund të shfrytëzohet edhe si galeri arti. Kjo duket natyrale dhe modern njëkohësisht. Pllakatet e varrezave do të jenë në formë cilindrike dhe me nga një dritë të vogël në krye që tregon se ato nuk janë harruar nga populli. Sipas planifikimeve tona, këtu ka hapësirë për rreth 500 varreza dhe normal se ky është një proces që kërkon kohë dhe do të zgjasë dhjetë ndoshta edhe pesëmbëdhjetë vite derisa të finalizohet.” – shtoi Demjaha.

Ndërkaq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë që nevoja për të ngritur një memorial të tillë ka qenë e kamotshme dhe në fund erdhën me një plan konkret.

“Ideja ka qenë që të ndërtojmë një memorial për të mbledhur trupat e të gjithë atyre dëshmorëve të kësaj ane që ende janë nëpër bunarë, male dhe varreza masive. Unë ju siguroj që nuk do të lejmë gurë pa lëvizur derisa t’i gjejmë. Do të ngrijmë ekipe inspektimi për varrezën masive të zbuluar në fshatin Cërvicë dhe atë në fshatin Zajaz, do të hulumtojmë emrat e të zhdukurve nëpër arkiva, do të kontaktojmë me familje që kanë humbur të afërmit për t’i gjetur të gjithë ato që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, para dhe pas saj. Ato të gjithë do të kenë një varrezë ashtu si e meritojnë, me nderimet që meritojnë.” – tha Ahmeti.

Sipas Demjahas, në krye të varrezave do të vijë skulptura e një gruaje, e quajtur “Nëna shqiptare” që do të simbolizojë sakrificën e të gjithë nënave dhe dhimbjen e tyre për fëmijët e humbur në kohë krize dhe lufte. Kjo skulpturë do të jetë e gjatë 3.5 deri 3.8 metra dhe do të jetë e ngritur në një masë betoni që do ta bëjë të mundur të shihet nga largësia.

Donatorët që ndihmojnë në realizimin e këtij projekti mbetën anonim kurse Ahmeti na siguroi që parat janë të mbledhura tashmë dhe punimet do të fillojnë së shpejti. Sipas tij, gjatë festës së flamurit do të jetë realizuar një pjesë e madhe e projektit.

“Memoriali i dëshmorëve” në Zajaz, ndërtohet në vendin ku para më pak se dy dekadash qëndronte i betonuar emri i kryetarit të ish Republikës Federale të Jugosllavisë, Titos.

Lajme të ngjashme

Back to top button