Mësimdhënësit, skeptik për rezultatet e maturës shkollore

Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Spiro Ristovski ka shpallur rezultatet e provimit të maturës shtetërore, duke theksuar se këtë vit ajo ka shënuar rezultat më të mirë në krahasim me vitet e kaluara.

Megjithatë ata që merren çdo ditë me arsimin dhe janë të kyçur drejtpërdrejt në këtë proces, nuk duken aq entuziastë kur bëhet fjalë për zhvillimin e këtij procesi dhe aq më tepër kur flitet për suksesin në rritje të nxënësve, në krahasim me vitin e kaluar.

 Madje, nga ana e tyre shtrohet dilema, nëse ky suksesi i nxënësve në maturën shkollore, është real, në kuptimin nëse ata vërtetë kanë nxënë njohuritë në nivelin e notave me të cilat janë vlerësuar.

 Dr. Bexhat Asani, thekson madje se matura shtetërore duhet të hiqet fare ose të thjeshtësohet ashtu siç është e thjeshtë në sistemin amerikan të shkollimit. 

 “Në vitet paraprake nxënësit me sukses katër vjeçar më të ulët, kanë pasur rezultate më të mira se nxënësit të cilët kishin treguar sukses të shkëlqyeshëm ! Rezultatet e tilla janë absurde.”, thekson Asani,  dhe shton se  profesorët të cilët kanë përcjellë nxënësit për katër vjet rresht ose një apo dy vjet, mund të japin vlerësim të drejtë, për njohuritë e nxënësve të tyre. 

Ai thotë që do të ishte mirë që për nxënësit me sukses më të ulët për të mos thënë më të dobët një test i tillë të përgatitet disa herë gjatë vitit, një herë në muaj derisa nxënësit e tillë të mund ta kalojnë. 

Ndërkaq, profesori Guximtar Labënishti deklaroi për Portalb, se provimet shtetërore-externe nuk e tregojnë pasqyrën reale në arsimin tonë!

“Dihet se si janë arritur “rezultatet” gjegjëse në këto provime,me metoda e forma të ndryshme të palejueshme, po edhe me dijeninë e strukturave më të larta…,prandaj të mos e mashtrojmë veten, po të bëjmë diçka që do të kontribuojë realisht në ndryshimin pozitiv të rrethanave në arsim…!”, thekson Labënishti.

 Ai shton se kjo me provimet shtetërore-externe më shumë ngjan si mbulesë për përgjegjësit e arsimit në RM,që të tregojnë se ja po punojnë diçka, derisa në të njëjtën kohë arsimi lëngon në të gjitha nivelet dhe nuk është kjo rruga që do ta sanojë atë! 

“Kërkohet përgjegjësi më e madhe nga Ministria e Arsimit dhe strukturat përgjegjëse në të gjitha nivelet…!Arsimtarëve t’u kërkohet llogari më shumë për punën apo mospunën e tyre, por sigurisht, kur më parë t’u jenë plotësuar nevojat materiale e jo kështu si qëndron puna tani me të ardhurat e tyre…!”, përfundon profesori Guximtar Labënishti.

Profesori, Natmir Arifi pasi pohon se matura shtetërore praktikohet në shumë nga vendet e zhvilluara të botës, vlerëson se ajo natyrisht që ka gjërat pozitive, por dhe ato negative për të cilat mund të diskutohet gjatë.

“Nëse flasim për shtetet me sistem tepër të zhvilluar arsimi mund të debatohet rreth efekteve të provimeve të maturës shtetërore, kurse në Maqedoni mendoj se gjëja e fundit për të cilën duhet të flitet është pikërisht kjo dhe shumë reforma të tjera që dikujt mund t’ia mbushin mendjen se pema e arsimit te ne lulëzon si askund tjetër në botë”, thotë ai.

Arifi thekson se kjo bëhet pikërisht këtu ku ka 1001 probleme të tjera akute që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

“ Për të mos e zgjatur, mendoj përfundimisht se me akrobacitë dhe salto mortalet e këtilla tentohet që t’i hidhet një fasadë mureve të rrënuara dhe enterierit të shëmtuar të godinës me emrin arsim në Maqedoni dhe asgjë më tepër”, thotë profesori Natmir Arifi.

Nga ana tjetër, në të gjithë vendin po mblidhen nënshkrime për të kundërshtuar mbajtjen e testimit ekstern në shkollat fillore dhe të mesme të vendit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button