Pa sqarimet e Kushtetueses, s’ka qeveri të re

Konstituimi i Kuvendit të ri dhe zgjedhja e kryetarit nuk do të përshpejtojë tash për tash çështjen e formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Kjo për faktin se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese rreth kushtetutshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas të gjitha gjasave, do të jetë i domosdoshëm.

Andaj, përderisa të mos ketë një interpretim kushtetues rreth seancës së 17 korrikut dhe vendimeve që u morën në të, nuk pritet që presidentja Atifete Jahjaga të emërojë mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Jahjaga, përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër. Por, ka shtuar Vllahiu, do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit.

Përderisa ana ligjore e formimit të qeverisë nuk do të mund të fillojë, mbetet që partitë politike t’i vazhdojnë negociatat e tyre për krijimin e koalicioneve.

Ndonëse mandatari i parë që do të marrë bekimin e presidentes, pritet të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, ky subjekt politik nuk po arrin të gjejë parti tjera partnere për të lidhur koalicion. Kështu që pritjet janë që një mandat për formimin e qeverisë të fitojë edhe kandidati i partive të bllokut LDK, AAK dhe Nisma.

Në mungesë të një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje, blloku LDK, AAK dhe Nisma ka edhe një rast tjetër që të shpresoj në votat e minoriteteve, të cilat e ndihmuan këtë koalicion në zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit. Kandidati i bllokut, Ramush Haradinaj, ka pranuar se me Vetëvendosjen ka një hendek që mund të jetë i pakapërcyeshëm për arritjen e marrëveshjes.

Koalicioni i tri partive, LDK, AAK dhe Nisma në njërën anë dhe Vetëvendosje, gjatë ditëve të fundit në disa rast janë përafruar në qëndrime sa që zyrtarët e tyre madje edhe paralajmëronin arritjen e marrëveshjes.

Sidoqoftë, mbetet të pritet se cili do të jetë interpretimi në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit para se të kalohet në fazën e formimit të qeverisë, si faza e fundit e formimit të institucioneve të reja që dalin si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit. /REL/

Lajme të ngjashme

Back to top button