Shipoviq: Nuk do të votoj për projektin kriminel “Shkupi 2014”

Kryetari i Këshillit të Komunës Qendër, Mirosllav Shipoviq i cili ditëve të fundit ishte shënjestër e akuzave nga kolegët e tij të LSDM-së, si “tradhtar” pas dyshimeve se do të votonte pro planeve të reja urbanistike të propozuara nga këshilltarët e VMRO DPMNE-së, në shkëmbim të statusit të mbrojtjes në liri  ka deklaruar se “Nuk do të bie pre’ e presioneve dhe nuk do të lejojë të kërcënohem nga askush”.

Shipoviq në deklaratën e tij para fillimit të seancës së sotme tha se nuk do të votonte për planet urbanistike që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, që për të, mbeten kriminale.

“Planet urbanistike nuk u vendosën në rend të ditës sepse është verë, dimër apo vjeshtë, por sepse unë kam obligim ligjor pa marrë parasysh se nga kush janë propozuar. Edhe një herë konfirmoj se unë nuk do të votoj për projektin kriminel “Shkupi 2014″ dhe këtë gjë e kam treguar shumë herë, jo vetëm në mënyrë deklarative. Dua të theksoj se unë asnjëherë nuk do të lejojë që fati im dhe i familjes sime të bëhen temë për përfitime politike, as nga ana e LSDM-së dhe as më pak nga VMRO DPMNE-ja. Unë nuk bie pre e presioneve as të njërës e as të palës tjetër dhe këtë e kam dëshmuar. Unë punoj sipas ligjit. Të më interesonin paratë këtë do ta kisha bërë që në fillim, dhe nuk do të lejoja që unë dhe vëllai im të vuanim burg me muaj të tërë”, deklaroi Mirosllav Shipoviq, kryetar i Këshillit të Komunës Qendër.

Planet e reja urbanistike që parashikojnë ndërtimin e disa objekteve të reja në Vodno, në seancën e sotme të Këshillit të Komunës Qendër, janë të fundit në listë. Këshilli i Qendrës  pritet të debatojë deri në orët e vona të natës.

Lajme të ngjashme

Back to top button