Rama: Ose do bëjmë historinë ose do largohemi pas 4 viteve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për ta lexuar me vëmendje dhe përgjegjshmëri mandatin që shqiptarët i besuan më 23 qershor.

Rama i bëri një thirrje Qeverisë në deyrë për t’u sjellë si kujdestare e vendit sikurse u bëri një apel subjekteve private.

“Të kalojmë në një fazë kujdestarie pa marrë më tutje vendime, në funksion të vizionit apo të programit të tyre që u ndëshkuan me votën e shqiptarëve. Do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me Qeverinë aktuale, që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha Rama.

Auditimi ndërkombëtar i sistemit shtetëror të vendit, krahas angazhimeve të marra në fushatën elektorale tha Rama, do të jenë prioritetet e para të qeverisë së re.

“Auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti, që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës, por është një proces i domosdoshëm dhe është kthyer në një model suksesi në Sllovaki. Me shpejtësi të reformojmë dhe të transformojmë administratën fiskale dhe të ndryshojmë gjithë sistemin e menaxhimit të doganave dhe të taksave”, tha Rama.

Rama i kërkoi Asamblesë Kombëtare dhe strukturave të partisë në bazë ndërtimin e një regjistri për të evidentuar të gjitha kapacitetet njerëzore, që do të kontribuojnë në qeverisjen e vendit në bazë të talentit dhe jo mbiemrit apo lidhjeve me partinë, duke paralajmëruar se nuk do të bëhen gabimet e së shkuarës.

“Duhet të vlerësojmë cdo kontribut mbi bazën e meritës ne duhet të kërkojmë më të mirët, më të talentuarit, më të zotët, ashtu sikundër duhet të respektojmë çdo zotësi, ndër ata që nuk na kanë votuar. Ne duhet të jemi garantë të vazhdimësisë normale të jetës, çdonjëri nga ata që sot me rrogën e këtij shteti dhe është aty sepse mund t’i shërbejë më mirë se të tjerët, këtij shteti dhe qytetarëve të këtij shtetit. Parafytyrimi i një shtese politike, që i zhduk të gjithë, sic i zhduku të gjithë kjo qeveri, do të thotë të përfundosh më keq se nga sa përfunduan ata”, tha Rama.

Edi Rama u ndal në një prej çështjeve të nxehta për momentin në kampin e majtë, që lidhet me lënien e madateve të deputetit, prej atyre që do të emërohen ministra.

“Eshtë e domosdoshme që ne të ndryshojmë rrënjësisht modelin e ministrit në këtë vend dhe modelin e deputetit të shumicës në këtë vend. Deputeti, si përfaqësues i interesave të publikut nuk mund të jetë një lypës fondesh qeveritare nëpër dyert e ministrive. Ne duhet të ndërtojmë figurën e një deputeti që nga kërkues fondesh e tenderash të kthehet në promotor i investimeve për hapjen e vendeve të reja të punës në gjithë territorin ku ka kujdestarinë e tij”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama i propozoi Asamblesë përfshirjen në kryesinë e PS-së të Taulant Ballës, pas asaj që e quajti fitore të jashtëzakonshme e të papërsëritshme për PS në Librazhd, propozim që u miratua unanimisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button