Kabineti i Ramës bën bilancin e 300 ditëve

Ka nisur sot në Teatrin e Operas dhe Baletit, raportimi i të gjithë ministrave për punën e tyre në këto 300 ditë qeverisje. Reformat e ndërmarra në arsim, ekonomi, luftën kundër korrupsionit, në çështjet e sigurisë së vendit, kanë qenë pjesë e deklaratave të ministrave.

Nikolla: Unifikuam arsimin me Kosovën, kemi gati reformën në arsim

Unifikimi i sistemit të arsimit me Kosovën  dhe Matura Shtetërore, ishte një ndër arritjet më të mëdha që ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, deklaroi në analizën e punës së saj në 300 ditë.

“Në 300 ditë arritëm të kemi një kurrikul të arsimit. Ne bëmë të mundur unifikimin e arsimit me Kosovën. Matura Shtetërore 2014 ishte një maturë që shënoi kthesën e madhe në meritokraci duke synuar standard të lartë. Për herë të parë prindërit, nxënësit dhe mësuesit do të kenë në dorë një sistem vlerësimi parauniversitar, sepse vëmë në jetë kartën e vlerësimit. Hoqëm nga katalogu 120 tekste të deklaruara me probleme. Siguruam gjithashtu që çdo vërejtje për tekste të veçanta, marrjen përsipër nga botuesit për përmirësimin e tyre. Treguam një risi sa i përket reformës në arsim. Ne kemi paraqitur një reformë që synon rritjen e cilësisë së arsimit pa cenuar ëndrrat e çdo nxënësi a studenti.” u shpreh Nikolla.

Haxhinasto: Rritëm sigurinë e transportit rrugor duke ulur me 15% aksidentet 

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto tha se një nga arritjet e dikasterit që ai drejton, është ulja me 15% e rasteve të aksidenteve me pasojë vdekjen. Haxhinasto shtoi se po punohet për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë së transportit. Ministri nënvizoi se janë shlyer rreth 60% e detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrjeve.

“Një premtim i madh ishte ulja me 20% e aksidenteve me pasojë vdekjen. Sot mund të themi se kemi arritur ta bëjmë këtë në masën 15 %. Më shumë se dy herë është rritur fondi i sigurisë. Në këtë mision po rreshtohen me ne edhe shumë partnerë privatë. Kemi vendosur në këto 300 ditë një marrëdhënie korrekte me biznesin. Po paguhen detyrimet ndaj kompanive. Deri më tani është bërë e mundur rreth 60% e tyre. Qytetarët shqiptarë meritojnë cilësi evropiane, dhe reformat tona këtë mundësojnë. Po ringjallet hekurudha shqiptare në sistemin e transportit. Ne po punojmë ngushtë me fqinjët tanë për lidhje më të mira transporti.” u shpreh Haxhinasto

Gjermeni: Hartimi i strategjisë kombëtare të strehimit

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, deklaroi se disa nga arritjet e ministrisë që ajo drejton, në këto 300 ditë janë:  shembja e ndërtimeve të jashtëligjshme, masat për sezonin turistik dhe sigurinë e qytetarëve në zonat bregdetare, dhe hartimi i strategjisë kombëtare të strehimit.

“Premtuam dhe mbajtëm fjalën për legalizimet falas dhe i dhamë fund vuajtjeve, korrupsionit dhe sorrollatjeve në zyrat e shtetit. Kemi marrë masa rehabilituese për të vendosur kontrollin mbi territorin duke prishur mbi 360 ndërtime të paligjshme. Qeveria u angazhua dhe është e angazhuar për një sezon turistik ndryshe. Kemi më shumë plazhe të pastra, më shumë siguri, kemi 11 plazhe ku kemi ngritur kampe vullnetarësh që u shërbejnë qytetarëve. Për sigurinë e tyre kemi roje plazhi. Kemi hartuar strategjinë e turizmit.  Po hartohet strategjia kombëtare e strehimit, kemi nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e banesave me kosto të ulët”, tha Gjermeni.

Panariti:  Certifikuam produktet tona, me vulën shqiptare të cilësisë

Certifikimi i vulës shqiptare të cilësisë është një arritje e cila sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Edmond Panariti, shpreh njohje zyrtare të prejardhjes së prodhimeve shqiptare.

“Mbështetja kryesore e bujqësisë në këto 300 ditë është rritja në masën 60 % e investimeve. Kontratat me fituesit janë në përmbyllje e sipër. Rritja e prodhimit vendas kërkon njohjen zyrtare të prejardhjes dhe cilësisë së pashoq të prodhimeve shqiptare. Ne çertifikuam dhe shpërndamë vulën shqiptare të cilësisë dhe do të vazhdojmë deri në fund me prodhues të tjerë”, tha Panariti.

Tahiri: Policia nuk njeh më zona që nuk e njohin ligjin

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se Ministria e Brendshme ka punuar fort për t’i kthyer dinjitetin Policisë së Shtetit, për reformimin tërësor të kuadrit ligjor në fushën e sigurisë.Tahiri raportoi se është ulur mbi 18 për qind numri i aksidenteve më pasoje vdekjen.

“Kemi rritur masat për të bërë rrugët më të sigurta nga aksidentet. Policia nuk njeh më zona që nuk e njohin ligjin dhe nuk vepron ligji. Kemi miratuar paketën më të plotë në fushën e sigurisë, që është dhe risia më e madhe e punës sonë”, tha Tahiri.

Ministria e Brendshme numëron rreth 9 projektligje për diskutim të propozuara nga vetë ajo, për më shumë siguri për qytetarët dhe më shumë përgjegjësi nga forcat e policisë ndaj qytetarëve. Parimi “Një shtet një polici”, ka qenë udhëzues në punën e policisë. Ministri bëri me dije se aktualisht, do të marrë jetë Byroja Kombëtare e Krimit, që pritet të japë një tjetër standard për Policinë e Shtetit.

“Prioritet në këto 300 ditë ka qenë edhe lufta kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, që është luftuar nëpërmjet një kuadri të ri ligjor që garanton përgjigjen para ligjit të policëve të korruptuar, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve”, theksoi Tahiri.

Bushati: Statusi hap një kapitull më cilësor në marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe partnerët strategjikë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në analizën e punës së tij, deklaroi se marrja e statusit të vendit kandidat si synimi kryesor i qeverisë dhe dikasterit që ai drejton, u bë e mundur pas një reforme për ndërtimin e shtetit.

Sipas Bushatit, statusi kandidat hap për Shqipërinë një kapitull të ri cilësor në marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe partnerët strategjikë, veçanërisht ato me Kosovën.

Analiza e Bushatit u ndal në 3 pika kryesore:

“Dua ta shtrij diskutimin në 3 pika. Pika e parë, te puna e madhe e bërë nga trupa e shërbimit të jashtëm për marrjen e statusit, por kjo nuk do të ishte e mundur pa pasur një reformë për shtetndërtimin. Është e rëndësishme të theksohet se statusi e përforcon pozitën e Shqipërisë, për të hapur një kapitull më cilësor në marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe partnerët strategjikë. Pika e dytë ka të bëjë me politikën tonë të jashtme në rajon që ka treguar se në 300 ditë ka qenë konstruktive. Kulmi i tyre është ngritja e marrëdhënieve me Kosovën, në një bashkëpunim rajonal”, u shpreh ministri.

Një tjetër pikë e rëndësishme ku Bushati u ndal në punën e tij, ishte edhe kapitulli i ri i marrëdhënieve me Greqinë dhe çështja e toponimeve.

“Tjetër kapitull është hapja e një kapitulli të ri të marrëdhënies me Greqinë. Në media është folur për toponimet. Ky shqetësim është adresuar tek autoritetet greke të cilat bashkë me ne, kanë vullnetin për ta zgjidhur”, tha Bushati.

Së treti, Bushati u ndal te reforma në shërbimin e jashtëm, duke theksuar se synimi i qeverisë ishte për një diplomaci në përputhje me politikat dhe interesat e vendit.

“E fundit, reforma në shërbimin e jashtëm. Synimi ynë është racionalizimi i shërbimit dhe prezencës shqiptare në botë në përputhje me vendin dhe politikat që bën vendi. Nëse më duhet të bëj një konkluzion të shpejtë në këto 300 ditë, u jam mirënjohës kolegëve dhe kryeministrit në këtë proces, dhe besoj se një kohezion së brendshmi do t’i mundësonte Shqipërisë që të arrinte më shpejt objektivat e saj”, ka deklaruar Bushati.

 

Çuçi: Reforma territoriale, arritja më e madhe

Ministri i Ceshtjeve Vendore Bledi Çuçi, deklaroi se është bërë një punë e madhe për hartimin e një plani veprimi kundër korrupsionit, plan i cili thirri në konsultim 500 aktorë interesi dhe shoqëri civile. Ai theksoi se është arritur të kthehet besimi i partnerëve evropianë të qeveria, gjë që u shpërblye me marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Çuçi bëri me dije se në fund të korrikut do të krijohet një sistem elektronik në lidhje me korrupsionin, me qëllim gjurmimin e këtij të fundit.

“Në bazë të raportit të GREKO-s, kemi përshtatur kornizën ligjore për çështjen e deklarimit të pasurisë”, tha Çuçi.

Një nga arritjet më të mëdha, të qeverisë sipas tij është realizimi i reformës territoriale që ka munguar prej 23-vitesh:

“Kemi realizuar reformën administrativo-territoriale që ka munguar për 23 vite. Për këtë angazhuam mbi 30 ekspertë e mbi dy grupe pune rajonale për shqyrtimin e reformës administrativo-territoriale”, theksoi Çuçi.

Naço: Luftë ndaj korrupsionit duke nisur nga gjyqësori

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, në analizën e punës së tij dhe ministrisë që ai drejton u shpreh se lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritet e kësaj qeverie dhe kjo luftë do të nisë nga sistemi gjyqësor.

Ai gjithashtu theksoi se një ndër arritjet e Ministrisë së Drejtësisë është dixhitalizimi i  i sistemit të regjistrimit të pasurisë, duke modernizuar sistemin e drejtësisë:

“E mbajtëm premtimin tonë. Seancat gjyqësore janë 37-50 % më lirë. U zotuam se do të realizojmë një proces skanimi të plotë të vendimeve të çështjes së pronave. Sot nuk do të ndodhë më si dje, ku pasuritë kombëtare e botërore privatizoheshin. Kjo nuk do të ndodhë më. Ne dixhitalizuam sistemin e regjistrimit të pasurisë dhe nuk do të ketë më që mijëra hektarë tokë në male të regjistrohen në det. Ne do të vazhdojmë të modernizojmë sistemin e drejtësisë në funksion të shqiptarëve. Ne jemi të bindur që luftën ndaj korrupsionit ta fillojmë nga gjyqësori”.

Gjosha: Marrja e statusit të vendit kandidat, riktheu besimin te administrata

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në raportimin e arritjeve dhe vështirësive në 300 ditët e institucionit që ajo drejton, theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian si dhe decentralizimi i fondeve IPA-së, janë një mundësi që i kthen besimin administratës shtetërore, sa i takon menaxhimit të fondeve.

“Kujtoj vështirësitë e ditëve të para për të njohur situatën ku ndodhej vendi dhe si do të vijonim. Do të vazhdoja me frymën e shkëlqyer që kemi pasur në ekip, energjinë dhe vendosmërinë për të arritur kaq lart siç është dhe marrja e statusit të vendit kandidat, që nuk ja dedikoj qeverisë sonë apo qeverisë së shkuar, por të gjithë shqiptarëve që na kanë vendosur përballë kësaj përgjegjësie.

Ka pasur reforma të rëndësishme që e kanë çuar Shqipërinë në rrugën e të ecurit përpara. Ky plan do ta afrojë Shqipërinë me të gjitha ligjet e Bashkimit Evropian, kemi vazhduar me fushatë informuese me rininë. Një arritje të madhe të 300 ditëve do të veçoja decentralizimin e fondeve IPA duke i kthyer besimin administratës shqiptare se mund t’i menaxhojmë këto fonde në mënyrën më të mirë të mundshme. Në vijim kemi një punë të madhe që na pret përpara dhe do të fokusohemi në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, ku unë do të veçoja reformën në drejtësi, dhe ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë mbështetës të kësaj reforme. Do të vazhdojmë në një politike më bashkëpunuese me rajonin dhe gjithashtu tashmë kemi një imazh më të përshtatshëm për thithjen e investimeve. Një gjë është e sigurt, vendi nuk ka kthim pas dhe BE-ja është rruga që ne kërkojmë të ecim me shpejtësi”, u shpreh Gjosha. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button