Ai është në dritë të vërtetë !

Pas fjalimit të Sali Berishës mbrëmjen e 26 qershorit shkrova artikullin « Shqipëria europiane nisi sot » sepse natyrshëm, sipas meje atë mbrëmje u mbyll kapitulli ballkanik i Shqipërisë dhe u hapi ai europian. Diskutimi që vazhdon pas kësaj është qeverisja e mirë dhe opozita e mirë që pritet të bëjnë të dyja palët për të vazhduar këtë proces demokratik që nisi. 

Prej asaj dite, analizat, komentet, kolumnat etj. nuk rreshtin së diskutuari Berishën: kush ishte, si ishte, çfarë bëri, pse e bëri e pse s’e bëri. Duket se ky burrështeti, edhe me largimin tij vazhdon të shqetësojë shpirtin e shumë njerëzve më shumë se drejtuesi i ri që po vjen. Sigurisht që diskutimet jane të nevojshme për të kuptuar cilësitë e një lideri që i shërbëjnë vendit dhe ato cilësi që e dëmtojnë vendin por më shume se kaq, mendoj se duhet të përqendrohemi tek lideri i ri e jo tek i vjetri. Mendoj se duhet ta lëmë të vjetrin në aureolen e tij dhe të analizojmë të riun: sa mundësi ka që ky të bëjë të njëjtat gabime, sa mundësi ka që ky të ecë në të njëjtat dërrasa të kalbura dhe sa mundësi ka që, në një rast të tillë, ne ta durojmë përsëri tëtë vite dhe përsëri të vazhdojmë të shohim Europën në ëndërr. 

Një analizë krahasuese midis këtyre dy apo tre lidereve momentalë të Shqipërisë është e nevojshme për të nxjerrë në dritë pikat e tyre të dobëta, ndoshta të përbashkëta. Berisha, në fjalimin e tij të dorëheqjes foli për shumë gjëra por ndër të tjera foli edhe për planin e tij për të ardhmen e partisë së tij që në fakt nuk është kaq thjeshtë “partia e tij” por është më shumë; për ne shqiptarët është opozita e vendit. A varet e ardhmja jonë edhe nga mënyra sesi kjo parti do bëjë opozitë ? Sigurisht që po, madje më shumë se kurrë. Atëherë këtu duhet bërë kujdes dhe duhet kërkuar analizë. Ajo parti duhet të jetë aq e fortë sa të bëjë opozitë aq të fortë sa bëri Edi Rama në tetë vitet e tij të “durimit të madh”. 

Në fjalimin historik të dorëheqjes Berisha nuk tha se do largohej përgjithmonë por tha saktësisht « unë do jem njëri prej jush » çfarë do të thotë se ai u tha shkoqur edhe bashkëpartiakëve edhe kundërshtarëve politikë se ai edhe pse humbi këto zgjedhje dhe tërhiqet nga drejtimi i partisë, do jetë aty për të forcuar partinë dhe për të bërë opozitë, madje aludoi për një periudhë të shkurtër në opozitë! Bëri me dije, duke thënë me fjalë të tjera se « jam i gjallë e jam në jetë » dhe do jem këtu për partinë. 

Sigurisht që koha dhe vitet do bëjnë të vetën por për momentin, Berisha jo vetëm që e deklaroi emrin e tij të lidhur fort me partinë por shkaktoi një rrëmujë mendore tek disa media që duket se nuk jetojnë dot më, pa hijen e tij. Një krahasim i thjeshtë i produksionit mediatik tregon se Berisha zë vend në analizat e medias, në mos më shumë, të pakten po aq sa edhe Rama që me logjikë, duhej të ishte nën lupë këto ditë. Por jo; këto ditë përsëri Berisha na provoi se ai vazhdon të jetë gjysma e politikës shqiptare, madje tani është “në dritë të vërtetë” po aq sa kur ishte në pushtet. Pa merak – do thoshte dikush – do kalojë edhe kjo kohë postpushteti siç ka kaluar për shumë ishpolitikane të larguar por të mos harrojmë se koha nuk të fal. Koha për analizë dhe tërheqje vëmendjeje është sot : sot ka kuptim, nesër mund të duket pa vend dhe historia thjesht mund të përsëritet me burra politike që harrojnë ç’thanë kur ishin në fushatë ose të paktën harrojnë shumicën e tyre. 

Lajme të ngjashme

Back to top button