Vigenin: Nuk ka mospërputhje mendimesh me Plevnelievin rreth Maqedonisë

Qëndrimi i Bullgarisë në lidhje me eurointegrimin e Maqedonisë nuk ka ndryshuar dhe është harmonizuar me të gjitha institucionet kompetente. Nuk ka mospërputhje të mendimesh midis meje dhe presidentit Plevneliev për këtë temë, ka deklaruar shefi i diplomacisë bullgare, Kristian Vigenin në një takim me gazetarët në Parlamentin bullgar në Sofje.

Vigenin ka përsëritur se Sofja mbetet në, siç thotë ai, pozitën parimore për nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Maqedoninë.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është kusht për hapjen e hapave vijues në procesin e eurointegrimit të Maqedonisë”, ka deklaruar Vigenin.

Vigenin ka thënë se punon në krijimin e klimës së volitshme në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë, që do t’i lehtësojë negociatat për marrëveshjen për fqinjësi të mirë.

“I informova kolegët e Maqedonisë se Bullgaria është e gatshme ta përshpejtojë punën rreth marrëveshjes. Tani radhën e ka pala e Maqedonisë ta ftojë ekipin negociues bullgar”, ka thënë Vigenin.
Janë bërë ndryshime në përbërjen e ekipit negociues, të cilin e drejton ambasadori bullgar në Shkup, Ivan Petkov, i cili sipas Vigeninit, e njeh mirë Maqedoninë dhe ka përvojë të mjaftueshme diplomatike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button