Kërcënimi i Januzajt me jetë pushton mediat botërore

Kërcënimi me jetë i disa tifozëve për Adnan Januzajn përmes rrjetit social ‘Facebook’, ka pushtuar mediat botërore. Lajmi ka bërë bujë, dhe është shpërndarë kryesisht nga mediat serbe.

Talenti kosovar mori kërcënimi pasi lojtari bëri publike në Facebook, se do të kalojë për disa ditë pushimet në Kosovë. “Ylli i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj ka marrë kërcënime me vdekje për shkak të vendimit të tij për të luajtur për Belgjikën”, shkruan ‘dailymail.co.uk’. 19-vjeçari zgjodhi Belgjikën para Kosovës, Shqipërisë, Turqisë e Anglisë.

Mediat spanjolle bëjnë me dije, se Januzaj e ka të ndaluar të shkojë në Kosovë, gjithnjë duke iu referuar mediave belge dhe atyre në Kosovë. “Adnani e ka të ndaluar të vizitojë Kosovë në muajt e ardhshëm. Pasi ai zgjodhi Belgjikën, 19-vjeçari ka pranuar kërcënime me vdekje nga tifozët e vendit të tij”, shkruan ‘superesportes.com.br’. “Me vështirësitë që pati për të zgjedhur Anglinë, Januzaj e la edhe Kosovën, por vendi i tij nuk është i pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë FIFA-n, e cila nuk e lejon të marrë pjesë në gara ndërkombëtare”, shkruan më tej ky sajt.

Januzaj pjesë e gjeneratës së artë të Belgjikës

Pas eliminimit nga Botërori ‘Brazil 2014’, mediat belge e kanë përfshirë Januzajn në mesin e gjashtë talenteve që pritet të jenë pjesë e gjeneratës së artë të Belgjikës në Botërorin ‘Rusi 2018’. “Ylli i Manchester Unitedit, i cili debutoi në Botëror në ndeshjen me Korenë e Jugut, pritet të jetë pjesë e skuadrës së parë në Botërorin e ardhshëm”, shkruajnë mediat në Belgjikë. Krahas tij, te e ardhmja e belgëve i shohin edhe Charles Musondan, Zakaria Bakkalin, Mathias Bossaerts, Youri Tielemans, dhe David Henen./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button