Banorët e Maqedonisë paguajnë shtatë herë më shtrenjtë për thirrje në Evropë

Qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi të kenë çmime të njëjta për shfrytëzimin e shërbimeve të roaming-ut kur udhëtojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Këtë e kërkuan sot ministrat e shoqërisë informatike e të tre shteteve, Ivo Ivanovski, Rasim Lajiq dhe Vuica Lazoviq, përmes dorëzimit të një letre të përbashkët deri te Komisioni Evropian dhe Drejtoria për rrjetet e komunikimit.

“Çdoherë i përmbushim direktivat dhe kërkesat e Unionit Evropian dhe është koha që Unioni t’i respektojë kërkesat tona”, theksoi menjëherë pas nënshkrimit të dokumentit në Shkup, Ministri i Shoqërisë Informatike i Maqedonisë, Ivo Ivanovski.

Duke shpjeguar, ai tha se hapi i ardhshëm pritet nga ana e institucioneve evropiane duke ndryshuar rregulloren dhe duke vendosur rregulla të reja që operatorët të munden ta shfrytëzojnë tarifën e lirë të roamingut në BE.

Sipas marrëveshjes, ministrat e tre shteteve, në shtator do të takohen në Mal të Zi, ku do të nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim në telekomunikacion.

Qytetarët e Maqedonisë, siç tha ministri Ivanovski, paguajnë shtatë herë më shtrenjtë për thirrjet në BE, tetë herë më shumë për thirrjet që pranojnë (duke qenë jashtë vendit) dhe tre deri në katër herë më shumë në shfrytëzimin e 1 megabajt Internet.

“Me këtë që është, vetëm nga Maqedonia, gjatë udhëtimit të qytetarëve të vendit, Bashkimi Evropian i merr rreth 1 milion euro. Para disa ditëve Bashkimi Evropian i uli çmimet e roamingit për 36 për qind dhe kërkojmë që edhe qytetarët tanë të munden t’i shfrytëzojnë këto shërbime që i kanë qytetarët në BE”, tha Ivanovski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button