Maqedonia do ta ‘hedh mbi vete’ gjizën, Shqipëria jufkat

Dy regjione nga Maqedonia dhe Shqipëria kanë iniciuar draftet ligjore për mbrojtjen e disa prej prodhimeve vendase që paraqesin edhe tiparet dhe veçoritë për territoret e tyre gjeografike. Nga Maqedonia, është duke u punuar në etablimin e kashkavallit dhe gjizës së bardhë të dhenve nga regjioni malor i Bistrës, kurse nga Shqipëria etablimi i jufkave dhe mollës dibrane me specifikat dhe karakteristikat e tyre. 

Bëhet fjalë për projekt të financuar nga fondet e Bashkimit Evropian mbi regjistrimin e markës tregtare, për promovimin dhe mbrojtjen e produkteve vendore.

Projekti realizohet në partneritet mes Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm “Alka” nga Shkupi dhe Institutit për Demokraci dhe ndërmjetësim nga Tirana. 

Në lidhje me këtë projekt, në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u mbajt konferencë me praninë edhe të drejtuesve të pushtetit lokal, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe disa organizatave të ndryshme ndërkombëtare. 

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i cili në cilësinë e ish ministrit të Vetëqeverisjes Lokale porositi drejtuesit e sektorit civil të përfitojnë nga mundësia e thithjes së IPA fondeve të Bashkimit Evropian për të iniciuar dhe realizuar projekte të ndryshmet të cilat do të kishin prioritet zhvillimin shoqërorë në të gjitha nivelet. 

Në rolin e kryetari të Komunës, Bejta u garantoi mbështetje institucionale për realizimin e projekteve të tilla. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button