Shkup, protestat janë shkak i gjyqësorit të politizuar

Shkaqet e protestave kundër proceseve gjyqësore, sikurse dhe të tensioneve tjera në relacionet ndëretnike, duhet kërkuar tek institucionet dhe mungesa e gatishmërinë së tyre për ngritur organe të pavarura gjyqësore, thonë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni.

“Kjo revoltë është si pasojë e humbjes së besimit në institucione dhe nacionalizimit, me të cilin VMRO DPMNE-ja permanent shërbehet për qëllime elektorale”, thotë Bilalli

Edhe Petar Arsovski, analist dhe njohës i çështjeve të ndëretnicitetit, fajin për gjendjen e krijuar ia hedh institucioneve.

“Protestat e ditëve të fundit nuk janë vetëm si pasojë e vendimit të gjykatës së Shkupit, por edhe si pasojë e shumë problemeve, thënë kushtimisht ndëretnike, tensioneve e kështu me radhë. Kjo, është pasojë edhe e dështimit të përpjekjeve që ky rast të trajtohet si të gjitha lëndet tjera gjyqësore. Pra, njerëzit në terren këtë nuk e ndjejnë si diçka të tillë, por e përjetojnë si rast etnik, andaj edhe paraqiten situata të këtilla”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Arsovski, analist dhe njohës i çështjeve ndëretnike.

Mersel Bilalli thotë se situata mund të përshkallëzohet nëse partitë politike nuk marrin masa serioze për kapërcimin e gjendjes së tanishme.

“Çdo vlerësim se proceset janë të montuara, është shumë i dëmshëm, konsideron Bilalli.

Nga ana tjetër, partitë politike vazhdojnë të tregohen të përmbajtura lidhur me ngjarjen e fundit.

BDI-ja reagimin e vetëm e ka pasur nëpërmjet një komunikate, ku ka bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga dhuna, e cila, sipas saj, do të pengonte që përmes institucioneve të sigurojë proces të pavarur gjyqësor për rastin “Monstra“ .

Ndërkohë, PDSH-ja opozitare ka mbështetur protestën, por në të njëjtën kohë për gjendjen e tillë ka akuzuar BDI-në.

Kreu i saj, Menduh Thaçi, ka thënë se zgjidhja e problemeve të shqiptarëve mund të arrihet vetën nëse partia që ai drejton arrin t’i përfaqësojë shqiptarët në institucione.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi vazhdimin e hetimeve për zbulimin dhe kapjen e personave që kanë shkaktuar dhunë gjatë protestave duke sulmuar ndërtesat e institucioneve dhe forcat policore.

Sipas bilancit të fundit, në protesta janë plagosur afër 30 policë dhe disa protestues, por nuk dihet numri i saktë i tyre.

Gjithashtu janë arrestuar disa të tjerë, ndërsa paralajmërohen edhe ndalime tjera dhe ngritje të padive penale.

Protestat nisën pas dënimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm nën akuzën e vrasjes së pesë maqedonaseve dy vjet më parë, akuza këto që janë hedhur poshtë nga të akuzuarit dhe pala mbrojtëse, e cila ka paralajmëruar ankimimin e rastit para Gjykatës evropiane në Strasburg. /REL/

Lajme të ngjashme

Back to top button