Diskriminim: Vulat e kthimit për Romët e Maqedonisë

Ndërkohë që keqpërdoruesit e liberalizimit të vizave kanë gjetur rrugë tjera ilegale për në vendet e Bashkimit Evropian (BE), policia kufitare i kthen prapa Romët me dokumentacion të rregullt vetëm për shkak të paragjykimeve se mund të jenë azilkërkues të rejshëm

Këto ditë, kur te publiku  fuqishëm bëri jehonë rasti i aktores së teatrit për fëmijë dhe të rinjve Emra Kurtishova  e cila në “Facebook”  publikisht kishte reaguar se me dokumentacion të rregullt është kthyer nga kufiri me [ka ajo ndjehet e diskriminuar, BIRN-i ka hetuar dhe ka konstatuar se rasti i saj është vetëm një nga  një seri të rasteve të ngjashme.

Opinion publik dhe shoqëria civile u angazhua dhe qëndroi pas aktore së re, por në një deklaratë të bërë në televizionin kombëtar, ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska ka mohuar çdo diskriminim dhe ka thënë se autoritetet kufitare në aeroportin e Shkupit nuk kanë lejuar që Kurtishova  të udhëtonte për në Gjermani, sepse ajo nuk i ka përmbushur plotësisht kërkesat e përcaktuara në kodin e Shengenit dhe tha se ministria edhe një herë do të shqyrtojë këtë rast. Ministrja gjithashtu theksoi se: “MPB-ja jo vetëm që nuk diskriminon  në asnjë bazë, por në të kundërtën – ajo i mbron qytetarët kur janë viktima të diskriminimit.”

Një kontroll i rreptë në kufirin midis Maqedonisë dhe Serbisë e kishte tronditur Ahmet Jasharevski nga Qendra e Komunitetit Romë “Dromë” nga Kumanova. Ai, bashku me disa veprimtarë romë, ka qenë i ftuar në Suboticë të Serbi që të marr pjesë në një konferencë rajonale rreth çështjeve të komunitetit romë. Me të arritur në kufi, zyrtarët e policisë serbe kanë ndalur autobusin dhe u kanë kërkuar që të kthehemi prapa. Arsyeja – mungesa e dokumentacionit të rregullt.

Në fakt, Jasharevski dhe i gjithë grupi kishin ftesa për pjesëmarrje në konferencë dhe dokumentacioni ishte i kompletuar.

“Konferenca ishte e organizuar nga një donator nga SHBA-të dhe ftesa ishte ne gjuhën angleze. Pas shumë intervenimeve dhe telefonatave drejtuar zyrtarëve të ndryshëm në Shkup dhe Kumanovë, pas gati 2 orë pritje në kufi, më në fund na lejuan që të udhëtojmë drejt Serbisë”, thotë Jasharevski. Ai shprehet i habitur se si është e mundur që çdo qytetar rom të shihet me dyshim se është një azilkërkues problematik nw vendet e BE-sw.

“Shikoni, nëse kjo ndodh me përfaqësuesit e komunitetit romë, mund të paramendoni si kalojnë qytetarët e rëndomtë romë”, shton Jasharevski.

Liberalizimi i vizave për Maqedoninë në vitin 2009 i solli shumë kokëdhembje BE-së, por edhe autoriteteve të vendit. Të lodhur nga skamja dhe  paperspektiva në vendlindje, autobusë me qytetarë nga Maqedonia vërshuan kryeqendrat evropiane. Në valën e parë të azilkërkuesve të rrejshëm ishin kryesisht qytetarë të komunitetit romë dhe shqiptar. Mediat gjërësisht raportuan për këtë fluks, ndërkaq BE-ja e gjetur para një vale të tillë të emigracionit të paligjshëm nga Maqedonia, rekomandoi vendit një kontroll më serioz të kufirit. Për një kohë të shkrutër pamjet me autobusë të mbushur me azilkërkues potencial u zhdukën, por problemi nuk u zgjidh, sepse ikja drejt perendimit si azilkërkues vazhdoi, por në forma dhe mënyra më diskrete të udhëtimit. Në anën tjetër, ky shtërngim i kufirit nxorri në pah një dimension tjetër të këtij fenomeni, atë të mundësisë reale për diskriminimin e udhëtarëve, kryesisht të etnitetit romë nga ana e autoriteteve kufitare.

Raportet e organizatave ndërkombëtare alarmojnë se liberalizimi i regjimit të vizave për Maqedoninë nga ana e BE-së është shoqëruar edhe nga një praktikë diskriminuese në kalimin e kufirit për komunitetin romë të vendit. Raportit zyrtar i Këshillit të Evropës thotë se që nga dhjetorit i vitit 2009, e deri në fund të vitit 2012, kanë qenë rreth 7 mijë qytetarë të Maqedonisë që i takojnë komunitetit romë që janë kthyer mbrapshtë në vendkalimet kufitare apo edhe u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit nga ana e autoriteteve policore maqedonase. Preteksti kryesor ka të bëjë me dyshimin se fjala është për azilkërkues potencial në BE, ndërkohë vendimin që ndonjë individ mund ta lëshojë apo jo vendin, është marrë në mënyrë autonome nga ana e zyrtarit policor në vendkalimin kufitar. Këtë praktikë të evidentuar nga Komisionari për Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, e konsideron si masë që bien ndesh me të drejtën për ta lëshuar vendin.

Përkundër shumë kritikave dhe apeleve të këtyre organizatave, raportet nga terreni flasin se praktika e tillë akoma vazhdon.

Jasharevski, që drejton qendrën “Dromë” e cila merret drejtpërdrejtë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të këtij komuniteti në rajonin e Kumanovës, konfirmon se praktika e kthimit selektiv të bashkëkombësve të tij akoma vazhdon.

“Ne kemi arritur të regjistrojmë shumë pak raste, sepse shumica e romëve frikohen t`i raportojnë kthimet nga kufiri”, thotë ai.

Bashkëbiseduesi jonë R.C., një qytetar nga Kumanova, pranoi të flasë me kusht anonimiteti. Ai gjatë muajit prill të këtij viti kishte marrë rrugën për në Serbi për t`i vizituar të afrimit e tij. Me të ndalur në vendkalimin kufitar atij i është kërkuar që ta lëshojë autobusin për tu pyetur nga autoritetet kufitare për qëllimin e kalimit të kufirit dhe destinimit të fundit. Ai pohon se atij i është imponuar që të konfirmojë se është nisur për në ndonjë shtet të BE-së.

“Insistuan në pohimin se jam azilkërkues, e jo vizitor edhe pse u tregova se destinacioni im i fundit është Serbia, e jo ndonjë shtet i BE-së. Më kthyen prapa, por fat që nuk ma morën pasaportën”, sqaron i riu nga Kumanova.

Iniciativë ligjore deri te Gjykata Kushtetuese e vendit 

Lidhur me praktikat e diskriminimit, Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (QEDR) me qendër në Budapest, thotë se kohë më parë ka ngritur iniciativë juridike pranë Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit si dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e drejtave të njeriut dhe të drejtave fundamentale njerëzore.

“Qendra jonë ka marrë shumë njoftime se individ të komunitetit romë e që janë qytetarë te Republikës së Maqedonisë, kanë qenë subjekt të praktikave diskriminuese dhe të trajtimin të pavend nga ana e zyrtarëve kufitar të këtij vendi”, thotë Sinan Gokçen nga QEDR.

Sipas evidencës së organizatës, në periudhën prej 2011 e deri më 2013, janë regjistruar 74 raste konkrete të romëëve të ndaluar dhe të kthyer prapa gjatë kalimit të kufirit si dhe 24 raste te marrjes se pasaportës me pretekst të azilkërkuesve potencial.

“Nga bisedat që aktivistët tanë kanë pasur me romët e kthyer, është dokumentuar se mbi 90 për qind të këtyre rasteve u është kërkuar që ta dëshmojnë qëllimin e udhëtimit”, thotë Gokçen.

Sipas hulumtimeve të QEDR, në 60 për qind të këtyre rasteve, autoritetet kufitare u kanë thënë udhëtarëve se ata janë udhëzuar të veprojnë kështu, posaçërisht për personat romë.

“Madje në 30 për qind të rasteve u është thënë troç se ata nuk mund ta kalojnë kufirin sepse janë romë”, potencon Gokçen.

Goditje  e së drejtës fundamentale për lëvizje të lirë

Sipas QEDR, e drejta për të lëshuar vendin është një e drejtë e garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Sipas tyre, çmimin e paftësisë së institucioneve kompetente e paguajnë romët si të dyshuar kujdestarë për mosrespektim e masës së liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve të Maqedonisë drejt vendeve të BE-së.

Megjithatë, policia e Maqedonisë hedh poshtë pohimet se kthen vetëm romë apo se komuniteti romë është më i prekuri.

Zëdhënësja e Policisë Marija Jakovlevska thotë se në periudhën 2012 dhe 2013 nga kufijtë e vendit janë kthyer 15,590 qytetarë të cilët kanë dështuar të justifikojnë ligjërisht kalimin e kufirit konform ligjeve.

“Nuk kemi bërë ndarje sipas përkatësisë etnike dhe nuk qëndron pohimi se kthehen vetëm qytetarët romë”, thotë Jakovlevska.

“Taxi all inclusive” zëvendëson autobusat

Organizatat rome, ndërkaq, thonë se viktima janë romët që udhëtojnë me dokumentacion të rregullt dhe pa qëllim të kërkojnë azil. Sipas tyre, ata që kanë qëllim të mos kthehen në Maqedoni udhëtojnë me mjete tjera të transportit.

“Sipas të dhënave tona që i marrim nga terreni, trendi i azilkërkimit vazhdon dhe tani. Në vend të autobusëve tani shfrytëzohen veturat private”, thotë Jasharevski nga “Drom”.

Sipas tij, askush nuk e merr guximin të denoncojë, sepse ekziston frika nga reperkusionet.

“Megjithatë, është një fshehtësi publike se për 100-150 euro transportuesi mund të të nxjerrë përtej kufirit drejtë Serbisë. Për shumicën e azilkërkuesve pikërisht ku vendkalim është më i vështiri, sepse më tutje nuk të pyet askush”, nënvizon Jasharevski.

Të ashtuquajturit transportues, sipas tij, janë pajisur me dokumentacione të rrejshme të nevojshme si ftesa, rezervime dhe para. “Këto njerëz i kanë edhe ‘lidhjet’ e duhura në kufi, prandaj arrijnë ta kryen punën pa ndonjë vështirësi”, thotë Jasharevski.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Policisë Marija Jakovlevska thotë organet e shtetit kanë ndërmarrë disa aksione ndaj të ashtuquajturave “agjensi turistike” që ofronin udhëtime drejtë Brukselit apo qendrave tjera evropiane.

“Tashmë mbase ka të bëjë me udhëtime individuale dhe organet tona veprojnë gjithnjë konform ligjit sa i përket dyshimit për azilkërkues potencial”, sqaron ajo.

Komiteti i Helsinkit: Shënjimi  i pasaportave në vullnetin e zyrtarit kufitar 

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë, gjatë 2013 dhe 2014 ka marrë një numër të madh ankesash nga qytetarët e Maqedonisë  anëtarë të komunitetit romë të cilët nuk janë lejuar të dalin jashtë vendit “Shumica e tyre kanë të bëjnë me njerëz të cilët kanë udhëtuar me autobus në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose në Republikën fqinje të Serbisë, ndërkohë që vetëm anëtarët e komunitetit romë nuk janë lejuar të largohet nga Republika e Maqedonisë”, thotë Neda Çallovska nga Komiteti i Helsinkit.

Sipas saj, paralelisht me këtë nuk mungojnë edhe ankesat në lidhje me kufizimin e të drejtës për t’u larguar nga territori kur qytetarët dëshirojnë të udhëtojnë me transportin ajror dhe që kishin blerë një biletë avioni për të marrë  destinacionin e synuar.

“Karakteristike e ndalimit është se pasaportat e këtyre njerëzve janë shënjuar në një mënyrë të veçantë, duke u vulosur dhe vendosur dy vija, gjë që e komplikon çdo dalje të mëtejshme të tyre jashtë vendit”, thotë Çallovska.

Siç sqaron ajo, Komiteti ka reaguar edhe deri te Avokati i Popullit lidhur me raste konkrete të kthimit selektiv te romëve, duke e konsideruar këtë si diskriminim sistematik, e jo raste individuale.

Mirëpo problemi paraqitet me mungesën e dëshmive materiale për të dokumentuar diskriminimin, andaj shumë raste nga Komisioni për mbrojtjen nga diskiminimi nuk kanë kaluar si të tilla.

“Për këtë arsye, ne apelojmë që qytetarët t`i raportojnë rastet me qëllim që ne t`i analizojmë dhe të gjejmë ndonjë mënyrë me adekuate për ta dëshmuar diskriminimit që ndodh”, thotë Callovska.

Alarmohet edhe Avokati i Popullit

Gjatë fundit të vitit 2013 dhe në fillim të 2014-ës, zyrës së Avokatit të Popullit i janë drejtuar dhjetëra parashtresa, me të cilat një numër i madh banorësh kanë kërkuar ndihmën e tij për t’iu dhënë e drejta për të dalë jashtë kufijve të vendit. Kryesisht  bëhet fjalë për rsate në vendkalimet Tabanoc dhe në Aeroportin e Shkupit, ku romët nuk lejohen të kalojnë kufirin, duke u akuzuar se do ta dëmtojnë Maqedoninë duke kërkuar azil të rremë në vendet evropiane.

Madje, policët kufitar, i shënjojnë pasaportat me vulë dhe dy vija me pretekst të prishjes së vulës hyrëse e që në esencë mund të jetë vetëm një shënjestim për kalimet e ardhshme të kufirit.

“Në fillim ishin raste të izoluara, por muajve të fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti ato u shpeshtuan brenda një kohe të shkurtër. Andaj, konstatuam se bëhet fjalë për dukuri, e jo më vetëm raste individuale”, thotë Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti.

Së fundimi, Mehmeti thotë se ka dërguar një informatë deri të qeveria me rekomandim që të avancohen procedura e punës së verifikimit të azilkërkuesve përmes trajnimit të zyrtarëve kufitar. Kjo me qëllim që të largohet çdo dyshim për mundësi diskriminimi të qytetarëve të një etniteti gjatë kalimit të kufirit.

Ndërkohë që institucionet dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut punojnë në drejtim të zgjidhjes së problemit, romët në Maqedoni vazhdojnë të njihen si grupi më i margjinalizuar etnik dhe social.

Sipas të dhënave zyrtare, afro 90 për qind e rreth 50 mijë romëve sa jetojnë në vend janë të papunë. Të dhënat nga shërbimet sociale thonë se gjithashtu rreth 90 për qind e familjeve rome janë shfrytëzues të ndihmave sociale. Kjo tablo tregon për gjendjen e vështirë ekonomike me të cilin përballet kjo popullatë. Kjo gjendje në fakt i ka motivuar edhe trafikantët e shumtë të azilkërkuesve që te romët të gjejnë një terren të përshtatshëm për këtë biznes shumë fitimprurës.

Megjithatë, qytetarët romë shpesh janë viktima të diskriminimit në vendkalimet kufitare vetëm për shkak të ngjyrës lëkurës.

Foto

Qytetarët e komunitetit rom janë viktimë e agjencive ilegale,njëkohësisht viktimë e diskriminimit nga ana e institucioneve shtetërore-Fushatë  edukative kundër migrimit të çrregullt.

POENTA

Sipas të dhënave zyrtare, afro 90 për qind e rreth 50 mijë romëve sa jetojnë në vend janë të papunë. Të dhënat nga shërbimet sociale thonë se gjithashtu rreth 90 për qind e familjeve rome janë shfrytëzues të ndihmave sociale. Kjo tablo tregon për gjendjen e vështirë ekonomike me të cilin përballet kjo popullatë. Kjo gjendje në fakt i ka motivuar edhe trafikantët e shumtë të azilkërkuesve që te romët të gjejnë një terren të përshtatshëm për këtë biznes shumë fitimprurës

Ahmet Jasharevski

Sipas të dhënave tona që i marrim nga terreni, trendi i azilkërkimit vazhdon dhe tani në ‘lojë’ në vend të autobusëve, janë veturat private. Askush nuk e merr guximin të denoncojë, sepse ekziston frika nga reperkusionet,thotë Ahmeti Jasharevski nga Qendra e komunitetit rom Drome nga Kumanova

Ixhet Mehmeti

Në fillim ishin raste të izoluara, por muajve të fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti ato u shpeshtuan në dhjetra brenda një kohe të shkurtër me çka konstatuam se bëhet fjalë për dukuri, e jo më vetëm për raste individuale.

Neda Çallovska

Karakteristike e ndalimit është se pasaportat e këtyre njerëzve janë shënjuar në një mënyrë të veçantë, duke u vulosur dhe vendosur dy vija, gjë që e komplikon çdo dalje të mëtejshme të tyre jashtë vendit –Neda Çallovska Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut .

Autor: Bekim Ajdini Prizma

Teksti është punuar nga rrjeti hulumtues i gazetarisë, BIRN.

Lajme të ngjashme

Back to top button