RMV, dy të tretat e qytetarëve nuk e kanë përdorur kurrë shërbimin online, gati 60 për qind preferojnë sportelet

Dy të tretat e qytetarëve nuk kanë shfrytëzuar asnjëherë shërbime administrative digjitale, ndërsma afro 60 për qind preferojnë t’i marrin shërbimet në sportel e jo online, sipas anketës së fundit të opinionit publik të realizuar për “Detektor” nga Instituti për Hulumtime Politike – Shkup, transmeton Portalb.mk.

Anketa IPIS është realizuar nga data 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në një kampion përfaqësues prej 1107 të anketuarve.

Sipas anketës, 58.2 për qind e qytetarëve, nëse kanë nevojë për një shërbim të caktuar, preferojnë ta kryejnë personalisht në sportel. Vetëm 33.9 për qind thonë se do ta bënin punën online nëse do të mundnin.

Hulumtimi tregoi se qytetarët e moshuar kanë më shumë rezistencë ndaj kompjuterëve. Tek ata mbi 60 vjeç, vetëm 19.1 për qind do ta kryenin shërbimin online, ndërsa tek qytetarët e moshës 18 deri në 50 vjeç, përqindja e të anketuarve që thanë se preferojnë të marrin shërbime online është rreth 44 për qind.

Sipas strukturës arsimore, hulumtimi tregon se qytetarët me arsim më cilësor kanë më shumë gjasa t’i drejtohen shërbimeve administrative online. Pra, nëse 62.1 për qind e të anketuarve me arsim të lartë deklaruan se preferojnë shërbimet administrative online, këtë qëndrim e ndajnë vetëm 11.6 për qind e atyre që nuk kanë mbaruar as arsimin fillor.

Anketa tregon se mbi dy të tretat e qytetarëve nuk kanë përdorur kurrë shërbim online në një institucion publik. Ndërsa vetëm 26.5 për qind kanë deklaruar se kanë përdorur shërbimet online të institucioneve shtetërore, madje 69.2 për qind nuk kanë tentuar asnjëherë të marrin një dokument apo shërbim online.

Ata që kanë përdorur shërbimet online shprehin në masë të madhe kënaqësinë. Rreth 87,4 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me shërbimin online që kanë marrë nga institucionet shtetërore, ndërsa vetëm 11,6 për qind janë shprehur të pakënaqur. Shumica e qytetarëve ose 25.6 për qind përdorën shërbimet online të Ministrisë së Brendshme. Pason DAP-i me 10.6 për qind dhe Kadastra me 7.8 për qind.

Qytetarët në shumicë thonë se nuk kanë frikë nga të dhënat e tyre personale që disponojnë institucionet shtetërore, ndonëse një e treta e të anketuarve janë ende skeptikë. Përqindja e atyre që besojnë se të dhënat personale të mbajtura nga institucionet janë të sigurta dhe të mbrojtura është 44, ndërsa 32.1 për qind besojnë se nuk janë të sigurta.

Për sa i përket efikasitetit të institucioneve që ofrojnë shërbime administrative, shumica e qytetarëve nuk shohin ndonjë ndryshim në pesë vitet e fundit. Nga të anketuarit, 35 për qind besojnë se sot nuk është as më e lehtë dhe as më e vështirë marrja e një dokumenti në krahasim me kushtet e pesë viteve më parë, 30,3 për qind besojnë se sot dokumentet dhe shërbimet administrative janë më të lehta për t’u marrë dhe 25,7 për qind besojnë se janë më të vështira për tu marrë.

Sipas qytetarëve, reforma në administratën publike nuk duhet të bëhet përmes punësimeve të reja, por përmes uljes së numrit të punonjësve dhe digjitalizimit. Këtë mendim e kanë dhënë 53,3 për qind e të anketuarve, ndërsa 23,7 për qind janë të mendimit se reforma në administratën publike duhet të synojë punësime dhe trajnime të reja.

Krahasimi me të njëjtën pyetje që kishte katër vite më parë “Detektor” tregon se shumica e qytetarëve sot këmbëngulin për uljen e numrit të punonjësve dhe digjitalizimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button