Pengesa për zhvillimin e kulturës shqiptare vjen nga shteti

Jeta kulturore shqiptarëve në Maqedoni është e vakët. Ky fakt tanimë është i ditur dhe i pakontestueshëm. Institucionet që duhet të merren me zhvillimin e jetës kulturore janë të pakta dhe ato që janë po ballafaqohen me mungesën e përkrahjes së duhur institucionale.

Të pakta janë edhe manifestimet kulturore, që në të shumtën e rasteve mbijetojnë falë entuziazmit të të pasionuarve pas kulturës. Ndërkaq,  për gjendjen e vështirë të kësaj veprimtarie të rëndësishme të jetës shoqërore, gjithsesi ndikojnë edhe rrethanat politike dhe shoqërore në vend.

 Dr. Fatmir Sulejmani, mësimdhënës në USHT, duke vlerësuar gjendjen e kulturës shqiptare në thekson faktin që kultura  shqiptare në Maqedoni nuk është në nivelet e dëshiruara. Kjo  sipas Sulejmanit, sepse kemi të bëjmë kryesisht me zhvillime jashtëinstitucionale të saj, me projekte entuziastësh të fushave të ndryshme kulturore që, për mungesë mjetesh të rregullta financiare, nisin vrullshëm, për t’u shuar pastaj papritmas e pa realizuar synimet fillestare. 

 Ai shton se madje,  nisur nga ajo që po ndodh aktualisht në disa sfera të kulturës, si në muzikë, fjala vjen,  jemi akoma në një stinë akulturimi, efektet e së cilës do t’i ndjejmë nesër më shumë se sot…

Në këtë kontekst, Dr Fatmir Sulejmani evidenton edhe disa nga pengesat për zhvillimin normal të kulturës shqiptare në Maqedoni.

“Pengesa më e madhe për zhvillimin e saj vjen  nga shteti në të cilin jetojmë dhe i paguajmë tatime të rregullta për gjithçka. Ai nuk e do zhvillimin e kulturës shqiptare dhe lejon pabarazi flagrante, duke  imponuar për shqiptarët doza të kërmillta zhvillimore, veçmas në fushën në fjalë… Tani më e thashë se pengesë e madhe është mungesa e institucioneve kulturore shqiptare dhe ajo e mjeteve të rregullta financiare për zhvillimin e kulturës, sepse asnjë kulturë nuk është zhvilluar me vitre që ofrohen mëshirshëm nga festa në festë… Të gjithë e dimë sa para nevojiten për të bërë një film të mirë artistik; sa mund duhet për të kultivuar një këngëtar a një instrumentist me tamam; nëpër çfarë filtrash institucionalë duhet të kalojë botimi i një vepre të mirëfilltë letrare a shkencore…”, thekson Sulejmani.

 Ai vlerëson se shansin e vetëm për të dalë nga kjo situatë personalisht e sheh në rrezatimin gjithnjë e më të fuqishëm që vjen para së gjithash nga Universiteti i Tetovës, vatrës ku kanë nisur të kultivohen e kaliten talentet e ndryshëm të të gjitha fushave (letërsisë, muzikës, artit figurativ, aktrimit…).

“ Të urojmë me gjithë shpirt që në një të ardhme të afërt të bisedojmë ndryshe për çështjet kulturore”,  përfundon Dr. Fatmir Sulejmani.

Në të  njëjtën frymë për rrjedhën e jetës kulturore tek ne në përgjithësi dhe për atë letrare në veçanti flet, krijuesi Vait Nasufi.  Ai vlerëson se Kultura shqiptare në përgjithësi dhe Jeta letrare në veçanti, tek ne mezi merr frymë.

“ Ajo është paralizuar qe shumë vite. Kemi dy festivale poezie për të cilët strukturat shtetërore dhe ministria përkatëse bëjnë pak, shumë pak. Klubet letrare nëpër disa qytete që dikur mbanin ndonjë orë poezie, ose promovime librash, tanimë kanë pushuar të funksionojnë. Sikur kjo shoqëri s’ka nevojë për fjalën e bukur”, thotë Nasufi

Ai shton  se Edhe atje ku bëhen përpjekje për ta ngjallë e ringjallur kulturën e shpirtit çdo gjë i lihet stihisë, kurse shtëpitë botuese botojnë libra, por librat heshtin, sepse  për ta nuk flet askush…/PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button