Rama pa mandat, pritet shtyrja e zgjedhjeve në PS

Kryesocialisti do të zgjidhet për herë të katërt në krye të PS. Komisioni i Garancive do të bëjë interpretimin e Statutit.

Më 27 shtator mbaron mandati katërvjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, të cilin e mori në 2009-n përballë Maqo Lakrorit. Sipas statutit të PS, me mbarimin e mandatit, zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë. Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste janë sanksionuar që në vitin 2007 të bëhen përmes parimit “Një anëtar, një votë”. Neni 29 i Statutit të PS-së, në pikën 2 të tij, përcakton: Mandati i kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a) jep dorëheqjen; b) Partia humbet zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c) humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë.

Pas datës 27 shtator, pritet të hapet fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS, pas deklarimit të kandidaturave. Por, burime pranë Partisë Socialiste thanë për “Panorama” se zgjedhja e kryetarit, pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, kur e majta mori rreth 1 milion vota, mund të shtyhet për më vonë. Që të bëhet kjo, do të duhet një interpretim i statutit të PS, përmes Komisionit të Garancive Statutore. Interpretimi mund të synojë barazimin e mandatit të kryetarit të PS me mandatin e Kongresit Zgjedhor dhe të Asamblesë Kombëtare.

NGËRÇI
Në fakt, mandati i kryetarit të PS-së dhe Kongresit Zgjedhor e Asamblesë Kombëtare ishin të njësuar deri në 2009-n, kur pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare Rama u detyrua të japë dorëheqjen në mes të mandatit të tij, që e kishte marrë në 2007-n dhe të hapë fushatën zgjedhore. Përballë Maqo Lakrorit, sfiduesit të tij, Rama mori 93% të votave duke e quajtur këtë mandat të rifituar të plotë, katërvjeçar dhe jo si vijim i mandatit që kishte marrë në 2007-n. Në këtë mënyrë, zgjedhjet në PS, delegatë Kongresi, anëtarë Asambleje Kombëtare, Kryesie u zhvilluan në nëntor të vitit 2011, ndërsa kryetari i partisë u përjashtua nga këto zgjedhje, pasi ishte në mes të mandatit të tij. Kjo mospërputhje mes mandatit të kryetarit të partisë dhe Kongresit e Asamblesë Kombëtare mund të rregullohet me një interpretim të statutit, i cili do të bëjë njësimin e tyre duke shmangur dhe zgjedhjet për kreun e socialistëve.

ZGJEDHJA
Në 2009, pas presionit të një grupi deputetësh, Rama dha dorëheqjen dhe hapi garën për kreun e PS, ku vetë ishte një nga kandidatët. Përballë Ramës u vendos një nga themeluesit e PS, Maqo Lakrori. Për herë të parë kandidatët bënë një fushatë të përbashkët, ku përpara anëtarësisë shpalosën platformat e tyre. Lakrori prezantoi platformën e tij të botuar edhe në një broshurë, ndërsa Rama në të gjitha takimet ka sqaruar pozicionin e PS-së ndaj bojkotit dhe rëndësinë e organizimit të protestave. Më 26 shtator 2009, në zgjedhjet e anëtarësisë përmes parimit “Një anëtar, një votë”, ku morën pjesë 56 mijë nga 82 mijë socialistë, Rama rezultoi fitues me 93% të votave. Zgjedhjet e 23 qershorit dhe fitorja e thellë e PS-së dhe e së majtës, rikonfirmoi edhe rolin e kryetarit të PS në drejtimin e partisë./ Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button