Sofra e Bajramit, jo për të gjithë e begatuar

Besimtarët e konfesionit Islam sot festojnë festën e madhe të Fitër Bajramit.

Sofra e Bajramit mbledh të gjithë anëtarët e familjes për të shënuar këtë festë, por jo të gjithë kanë mundësi ta shtrojnë atë sic e do tradita.

Qytetarë të anketuar nga Portalb edhe kësaj here janë ankuar për çmimet dhe krizën.

‘është festë që meriton shumë përkushtim. Me të vërtetë Ramazani e pastaj Bajrami ngërthejnë harxhime të mëdha, po duhet falënderuar Zotit që na ka mundësuar ti presim dhe të ndihmojë ata që kanë nevojë’ tha Tahir B. nga Shkupi.

‘Dolëm të blejmë ndonjë gjë për Bajram, me të vërtet çmimet sa vijnë e shënojnë rritje. Kemi përgatitur bakllavën, me aq sa kemi mundësi ta shënojmë këtë festë madhështore’ tha Bedri Avdiu nga Hasanbegu.

‘Eshtë shumë e vështirë në këto ditë krize të presësh Bajramin, jemi të gëzuar që po vjen festa, po na mërzit fakti se nuk kemi mundësi ti gëzojmë fëmijët siç bëjnë prindërit tjerë, pasi nuk arrijmë me kushtet që i kemi’ tha Mevaipi nga Dizhoni.

‘Kushtet nuk na kanë mundësuar ta shënojmë këtë festë si duhet dhe të shtrojmë në sofër gjitha të mirat. Një herë Ramazani, pastaj fitrat dhe tash Bajrami, fëmijët duan, është shumë keq për një prind kur nuk  mundet tua plotësoj dëshirat fëmijëve, por këto janë mundësitë’ tha Emin F.

‘Jemi përgatit për Bajram me aq mundësi sa kemi pasur, kam tre fëmijë, të gjithë duan rroba të reja, nuk pyesin a ke ose jo. Me një rrogë 200 euro nuk ke nga ia mban, edhe çmimet në treg janë të larta, por mundohemi nga pak të blejmë prej çdo gjëje’ tha Jakup Mustafa, nga lagjja e Seravës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button