Muslimanët në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri e falën namazin e Fitër Bajramit

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet e Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency.

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për tu falur.

Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” të Shkupit, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, ata u falën edhe në oborr.

Falja e namazit të Bajramit, Shkup, foto nga Anadolu Agency

Në programin e organizuar nga Bashkësisa Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut, para faljes së namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Fjalimin e Hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, i cili gjithashtu në tre gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe turqisht, përcolli porosinë e tij.

“Lus Allahun Fuqiplotë, që kjo ditë e madhe të jetë ditë e paqes, ditë e tolerancës, ditë e solidaritetit, ditë e afrimit mes njerëzve, e kënaqësisë dhe gëzimit në përgjithësi”, tha Fetahi në deklaratë për mediat pas përfundimit të namazit.

Ndërkohë, edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Programi qendror është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Falja e këtij mëngjesi u mbajt sërish nga kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.

Pas faljes, besimtarët iu drejtuan ambienteve të tyre të banimit për të vijuar me kremtimet e kësaj dite.

Mesazhi i faljes së sotme iu dedikua dashurisë edhe solidaritetit ndaj të pamundurve dhe kjo njihet edhe si dita e dhurimit. Edhe këtë vit besimtarët nuk arritën që faljen e tyre ta bëjnë në xhaminë e madhe të Namazgjasë.

Manifestimi qendror në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u dhanë mesazhe për paqe, dashuri, unitet dhe solidaritet.

Falja e namazit të Bajramit, Prishtinë, foto nga Anadolu Agency

Aty po ashtu është bërë lutje që në vatrat e krizës nëpër botë të ndalen luftërat e konfliktet dhe të vendoset paqja e qetësia.

Namazit të Bajramit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti. Kurse, Hytben e Fitër-Bajramit e mbajt Myftiu Naim Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste, ku tha se festa e Fitër Bajramit si asnjë festë tjetër bashkon familjen, miqtë e farefisin ngase kjo është obligim.

“Festa e Fitër Bajramit për besimtarët është një ndër momentet më të gëzueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ngase në vete ka mesazhe hyjnore që ofrojnë familjen, të afërmit, miqtë e farefisin. Po ashtu, kjo festë ka në vete mesazhin e gëzimit, hares e lumturisë, që nga fëmijët, të rinjtë e për të gjitha grup moshat të cilat kjo festë në formën më të mirë i ofron drejt vlerave e porosive hyjnorë, humane e sociale. Festa e Fitër Bajramit na bashkon në xhami, me ibadet, falje e lutje drejtuar krijuesit të gjithësisë. Na bashkon me familje, me farefisin, me miqësinë, me vizita të ndërsjella duke uruar dhe përgëzuar, si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button