RMV, një pjesë e të punësuarve të Qendrës Shtetërore të Provimeve kërcënojnë se nuk do të ketë maturë shtetërore nëse nuk u rriten pagat
Një pjesë e të punësuarve të Qendrës Shtetërore të Provimeve, të cilët janë anëtarë të Organizatës sindikale, kanë njoftuar sot ndërprerjen e të gjitha proceseve në të cilat po punojnë, përfshirë edhe përgatitjet e maturës shtetërore. Në një deklaratë për media para objekteve të QShP-së, Emilia Boshkovska, kryetarja e organizatës sindikale dhe ish-drejtoreshë e institucionit në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, tha se për zgjidhjen e problemit i janë drejtuar Ministrisë së Financave, por nuk morën përgjigje pozitive, transmeton Portalb.mk.
Siç thotë Boshkovska, në dy rritjet e fundit të pagës minimale të nëpunësve shtetëror janë rritur vetëm pagat e punëtorëve që janë në pozitën më të ulët.
“Këtu bëhen shumë testime, organizohen provime praktikante për mësimdhënësit e ardhshëm, organizojmë maturë shtetërore, kemi ngarkesë të madhe dhe nuk mund të mbijetojmë”, tha Boshkovska.
Ajo u ankua se mësuesve iu rritën pagat, por ata që vendosën nëse ata mësues do të kalojnë provimet e trajnimit nuk morën rritje.
“Kemi një rol shumë serioz se sa na vlerëson qeveria. Kërkojmë dhe bëjmë thirrje zgjidhjen sa më të shpejtë, më urgjentisht, që të përfundojmë të gjitha proceset që na presin”, kërkuan sindikalistët.
Përfaqësuesi i degës dhe sindikatës republikane, Goce Selovski, konfirmoi se nga shtatori, kur u ngrit paga minimale, këta persona nuk kanë marrë rritje.
“Me rritjen e fundit prej 20.125 denarë kanë mbetur pa asnjë rritje dhe që atëherë janë duke kërkuar mënyra për t’i ndihmuar”, tha ai.
Meta.mk kërkoi mendim dhe qëndrim lidhur me këto zhvillime nga drejtoresha e QShP, Blagica Pavlovska, si dhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani.
Sipas ligjit, provimi i maturës shtetërore është kusht për regjistrimin në fakultet, ndaj duhet të plotësohet. Provimi shtetëror i maturës këtë vit do t’i përshtatet gjendjes së arsimit dhe do t’i lehtësohet kësaj gjenerate të maturantëve që u prekën më shumë nga ndërprerjet e procesit mësimor për shkak të kërcënimeve me bomba.
Në të njëjtën kohë, këtë vit duhet të zvogëlohet edhe volumi i provimit ekstern. Do të ketë 60 deri në 80 pikë, në vend të 80 deri në 100 pikët paraprake, që do të thotë se do të ketë ulje të numrit të pyetjeve. Gjithashtu është planifikuar të ketë banka me pyetje për provimet interne dhe këto provime do të sjellin më shumë pikë gjatë regjistrimit në fakultet.
Kujtojmë edhe se Organizata sindikale e Qendrës Shtetërore të Provimit dje hyri grevë të përgjithshme, për shkak të mosmarrjes së pajtueshmërisë për Kërkesën për ndryshim dhe plotësim të Marrëveshjes kolektive nga ana e Ministrisë së Financave, ndërsa me qëllim të mbrojtjes së të drejtave ekonomike dhe sociale të anëtarëve të tyre.