Kini kujdes se ku aplikoni për ETIAS, Frontex paralajmëron për 50 ueb-faqe të ndryshme

Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX) paralajmëron qytetarët se ekzistojnë 50 faqe të ndryshme të Sistemit të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit të BE-së (ETIAS) në shumë gjuhë, jo të gjitha prej të cilave janë të sigurta për t’u përdorur nga qytetarët. Siç dihet, ETIAS do të fillojë në vitin 2024 dhe do të aplikohet edhe për qytetarët e Maqedonisë që planifikojnë të udhëtojnë në BE, transmeton Portalb.mk.

“Me ETIAS, udhëtarëve pa viza do t’u kërkohet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përpara se të bëjnë udhëtimin e tyre në Evropë. Sistemi do të kryejë kontrollin para udhëtimit të këtyre udhëtarëve për të përcaktuar nëse paraqesin rrezik për sigurinë, imigracionin e paligjshëm apo shëndetin publik, duke forcuar më tej sigurinë e brendshme të BE-së”, thuhet në njoftimin e FRONTEX.

FRONTEX aktualisht po mbështet Komisionin Evropian në përgatitjen e një fushate informimi publik për ETIAS, e cila pritet të nisë gjashtë muaj përpara se sistemi të hyjë në funksion. Megjithatë, FRONTEX rekomandon përdorimin e faqes zyrtare të ETIAS: europa.eu/etias, ku udhëtarëve u ofrohet informacion mbi kërkesat e reja, procesin e aplikimit, apelimet dhe tema të tjera përkatëse.

“Udhëtarët do të mund të dorëzojnë aplikimet e tyre për ETIAS ekskluzivisht përmes kësaj faqeje zyrtare pasi sistemi të vihet në funksion”, thotë FRONTEX, duke shtuar se aplikimi në faqen zyrtare do të kushtojë 7 euro dhe të gjitha kostot shtesë do t’u shkojnë ndërmjetësuesve.

Në të njëjtën kohë, FRONTEX u kujton qytetarëve se rregullorja evropiane në lidhje me ETIAS lejon ndërmjetësuesit tregtarë të aplikojnë për lëshimin e këtij lloji të autorizimit të udhëtimit në emër të të tjerëve. Megjithatë, duke qenë se procesi i aplikimit do t’u kërkojë udhëtarëve të japin detajet e të dhënave të pasaportës së tyre, numrin e kartës së kreditit dhe informacione të tjera personale, është e rëndësishme të sigurohet që informacione të tilla të ndjeshme të mos keqpërdoren nga palët e treta.

Pasi të lançohet ETIAS, ndërmjetësuesit tregtarë do të duhet të përdorin gjithashtu faqen zyrtare të ETIAS për të aplikuar për autorizim udhëtimi në emër të klientëve të tyre.

“Është e rëndësishme që udhëtarët të marrin parasysh se kujt i japin të dhënat e tyre personale dhe sa janë të gatshëm të paguajnë përveç tarifës së aplikimit. Është e rëndësishme që udhëtarët të marrin kohën e tyre dhe të vlerësojnë me kujdes këta faktorë”, tha François Laruelle, drejtor i ETIAS në kuadër të Frontex.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut më 26 tetor 2022, nënshkroi të ashtuquajturën “Marrëveshje për Fronteks”, marrëveshje e parë e këtij lloji ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nënshkrimi u bë në prani të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button