Turqia lëshoi në hapësirë satelitin e parë me rezolucion të lartë
IMECE, sateliti i parë vendas dhe kombëtar vëzhgues i Türkiye-s me rezolucion nënmetër, në orën 09:48 sipas kohës lokale u lëshua me sukses në hapësirë nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Drejtuesi i projektit İMECE, Emir Serdar Aras dhe ekipi i tij koordinuan procesin e lëshimit të satelitit në Bazën e Forcave Hapësinore Vandenberg ndërsa njëkohësisht u mbajt program edhe në stacionin tokësor të monitorimit në Institutin e Kërkimeve të Teknologjive Hapësinore TÜBİTAK në Türkiye.
Programi i lëshimit në Türkiye i satelitit İMECE i cili u shty 3 herë për shkak të kushteve atmosferike, u krye me pjesëmarrjen e ministrit të Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe kreut të TÜBİTAK, Prof. Dr. Hasan Mandal.
Pas fjalimeve të ministrit Akar dhe të Mandal, u mbajt numërimi mbrapsht dhe sateliti vëzhgues vendas dhe kombëtar IMECE i zhvilluar nga ‘TÜBİTAK UZAY‘ u dërgua në hapësirë me raketën “Falcon 9” të kompanisë Space X në 09:48 me orën e Türkiye-s.
Në këtë ceremoni presidenti Recep Tayyip Erdoğan dërgoi një video-mesazh, ndërsa edhe ministri i industrisë dhe teknologjisë, Mustafa Varank u lidh në ceremoni përmes telefonit dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar.
Me fillimin e detyrës së IMECE, Türkiye për herë të parë do t’i sigurojë historisë së saj të hapësirës një kamerë satelitore elektro-optike e cila ka rezolucionin nënmetër dhe e cila është zhvilluar me mundësi vendase dhe kombëtare.
İMECE do të plotësojë nevojën e Türkiye-s për pamje satelitore me rezolucion të lartë dhe do të operojë në orbitë sinkrone me diellin në një lartësi prej 680 kilometrash.
Sateliti i cili mund të marrë pamje nga çdo vend i botës pa kufizim të pozitës gjeografike, do të ofrojë shërbim për Türkiye-n në shumë fusha të tilla si përcaktim dhe zbulim të objektivit, për fatkeqësitë natyrore, hartat dhe praktikat bujqësore.
Jetëgjatësia e detyrës së projektuar e satelitit është planifikuar të jetë 5 vjet
Jetëgjatësia e detyrës së projektuar e satelitit që mund të përdoret për qëllime civile dhe sigurie është planifikuar të jetë 5 vjet. Në kuadër të projektit për herë të parë në Türkiye u projektua, zhvillua dhe prodhua kamera elektro-optike e përputhshme me hapësirën.
Në këtë mënyrë, Türkiye arriti në pozicionin e prodhuesit dhe madje të eksportuesit të kamerës së saj që siguron pamje nga satelitët e huaj.
Gjithashtu Türkiye është bërë një vend që ka aftësinë të projektojë dhe prodhojë nga zeroja të gjitha nënsistemet e satelitit të vëzhgimit të tokës dhe stacionit tokësore.
İMECE ka një peshë rreth 700 kilogram dhe dimensioni 2 metër x 3,1 metër.
Ndërkohë İMECE, mund të kapë një zonë prej 1.000 kilometra gjatësi dhe 16.73 kilometra gjerësi përnjëherësh si dhe pamjet që merr mund t’i shkarkojë në stacionin tokësor me një shpejtësi bruto të të dhënave prej 320 megabajt/sekondë.