Të rinjtë e Danimarkës më të rrezikuar që të përballen me varfërinë midis vendeve të BE-së

Në vitin 2021 të rinjtë në Danimarkë ishin më të rrezikuarit që të përballen me varfërinë në Bashkimin Evropian, tregojnë të dhënat e Zyrës statistikore të BE-së, transmeton Anadolu.

Mbi një e katërta (25.6 për qind) e danezëve të moshës 15-29 vjeç ishin në rrezik të varfërisë, e ndjekur nga Greqia me 25.3 për qind dhe Spanja me 24.9 për qind, thuhet në raportin e Eurostat të publikuar këtë javë.

Raporti më tej thekson se rreziku i varfërisë për popullsinë e përgjithshme në Danimarkë ishte 12.3 për qind ndërsa për të rinjtë ishte 25.6 për qind. Po ashtu edhe në Suedi, shkalla e të rinjve që vuanin financiarisht ishte më e madhe se popullsia e përgjithshme, 24.6 për qind, krahasuar me 15.7 për qind të popullatës nga të gjitha grup-moshat.

Në përgjithësi në BE në vitin 2021 shkalla e rrezikut nga varfëria për të rinjtë ishte 20.1 për qind, krahasuar me 16.8 për qind për popullsinë në përgjithësi.

Mbi 6 për qind e të rinjve në BE “të privuar rëndë materialisht”

Raporti tha se në vitin 2021 rreth 6.1 për qind e qytetarëve të moshës 15-29 vjeç ishin “të privuar rëndë materialisht dhe socialisht”.

Midis popullsisë së përgjithshme të qytetarëve që jetojnë në vendet e BE-së, shkalla e personave të privuar rëndë materialisht dhe socialisht nga të gjitha grup-moshat ishte 6.3 për qind, më e lartë se ajo për të rinjtë.

Sipas treguesve të BE-së, personat me privim të rëndë material dhe social janë ata që nuk mund të përballojnë 7 nga 13 faktorët e listuar, për shkak të mungesës së financave.

Lista përfshinë aftësinë për të paguar kredi, hipotekë ose faturat e shërbimeve; mbajtja e shtëpisë ngrohtë; ngrënia e peshkut, mishit ose pulës çdo të dytën ditë; përballimi i shpenzimeve të papritura financiare; shkuarja në pushime; zëvendësimi i mobilieve; blerja e automjetit; blerja e rrobave të reja; këpucë të përshtatshme; aktivitet gjatë kohës së lirë; takimi i familjes ose miqve jashtë për një vakt një herë në muaj; para xhepi; dhe lidhje interneti.

Shkalla më e lartë e të rinjve që vuajnë nga privimet sociale dhe materiale u regjistrua në Rumani me 23.1 për qind, e ndjekur nga Bullgaria me 18.7 për qind dhe Greqia me 14.2 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button