Macron dhe Von der Leyen takohen sot me Xi Jinping

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohen sot me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, transmeton REL.

Ata arritën në Pekin të mërkurën dhe do të priten nga presidenti kinez të enjten.

Diskutimet midis Macron, Xi dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht në tregti, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.

Dje, presidenti francez tha se Kina ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë dhe se Franca po kërkon të punojë me Pekinin “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Kiev.

Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, takimi i presidentit Xi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë. Ai ritheksoi paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë.

Ndërsa, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kritikoi të martën Kinën për mbështetjen e Rusisë gjatë kohës së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës dhe e quajti atë “një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.

Von der Leyen e paralajmëroi në fund të marsit Pekinin se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button