Kina: edhe më tej një test për politikën e jashtme të BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Vizita e fundit e presidentit francez Makron dhe presidentes së Komisionit evropian Fon Der Lajen në Kinë duhej të jenë tregues të unitetit të politikës së jashtme të BE-së. Pas vizitës, shumica e analistëve pajtohen se rezultatet janë pikërisht të kundërta. Edhe në mënyrë protokollare por edhe thelbësore, përfaqësuesit e BE-së dhe të Francës në Kinë patën trajtim të ndryshëm. Vizita burrështetase e Makronit ishte shumë më e pasur dhe fitoi më shumë vëmendje nga kinezët. Në publikun kinez u paraqitën dy portrete – kryetarja e Komisionit evropian si figurë pro-amerikane dhe presidenti francez – si lider i interesuar fuqishëm për bashkëpunim me Kinën. Nga takimet në nivel BE-Kinë nuk pati asnjë dokument të përbashkët, ndërsa takimi Francezo-Kinez u kurorëzua me një Deklaratë të gjatë të përbashkët të dy presidentëve, e cila lajmëron aktivitete konkrete në shumë fusha bashkëpunimi – nga dialogu politik, nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik – deri te kultura dhe sporti.

Tre çështje kyçe mund të nxirren nga takimet e kryesisë BE/Francë – Kinë: roli kinez në zgjidhjen e luftës Ruso-Ukrainase, marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës dhe BE-së dhe Francës – në mënyrë bilaterale në skenën globale, si dhe çështja e Taivanit.

Qëllimi kryesor i vizitës së palës evropiane ishte që Kina të nxitet që të jetë më aktive në bindjen e Rusisë që ti japë epilog konfliktit në Ukrainë. Kjo ishte veçanërisht me rëndësi, duke pasur parasysh vizitën e fundit të presidentit kinez Shi Xhinping në Rusi, e interpretuar në publikun perëndimor si mbështetje për Putinin. Në prononcimin para vizitës në think-than qendrën e Brukselit për politikë evropianë (QPE), fon der Lajen deklaroi se faktori kyç për marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës do të jetë “si do të sillet Kina në vazhdim ndaj “Luftës së Putinit”. Ajo e përsëriti pritshmërinë që Kina të mos i dërgojë Rusisë pajisje luftarake – gjë që analistët e interpretojnë si një “vijë të kuqe”. Në njoftimin zyrtar kinez pas takimit trilateral të kryesive theksohet se “Kriza e Ukrainës nuk është çështje midis Kinës dhe BE-së” dhe se Kina do të vazhdojë të angazhohet për negociata paqësore, duke përfshirë edhe mundësinë që të jetë lehtësuese e tyre.

Për BE-në (sipas dokumentit zyrtar “Kompasi strategjik”), Kina është “partner ekonomik, konkurrent ekonomik dhe rival sistemor”. Sjellja e BE-së ndaj Kinës në vitet e kaluara ka shënuar dilemën “veçim” ose “zvogëlim i rrezikut” (“de-coupling” versus “de risking”). Fon der Lajen e quajti qasjen “zvogëlim i rrezikut nëpërmjet diplomacisë”. Ajo kërkon që të ulet asimetria në marrëdhëniet tregtare ndërmjet tyre, dhe Kina ti ndërpresë masat të cilat, sipas BE-së, e pamundësojnë konkurrencën e lirë. Përndryshe, deficiti tregtar i BE-së me Kinën në dekadën e fundit është rritur për tre herë. Është e pamundur të fshihen dallimet midis shteteve anëtare të BE-së në ashpërsinë e qasjes ndaj Kinës – disa janë më të kujdesshëm për shkak të lidhshmërisë së tyre më të lartë ekonomike dhe varshmërisë në zinxhirët e prodhimit nga produktet kineze (si Gjermania), ndërsa të tjerë janë më të ashpër.

Menjëherë pas vizitës, e cila ishte njëkohësisht me stërvitjet ushtarake në afërsi të Tajvanit, më zëshëm jehoi deklarata e presidentit francez Makron se “Evropa nuk duhet të jetë vasal i marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës”, e cila shkaktoi një sërë reagimesh nga të dy anët e Atlantikut. Makron paralajmëroi se nëse BE-ja lejon që të tërhiqet në një krizë që nuk është e saj, kjo do të jetë në dëm të arritjes së autonomisë strategjike të BE-së koncept që ai e promovonte gjatë presidencës franceze të BE-së. Sipas Makronit, përshkallëzimi i problemit të Taivanit nuk është në interes të Evropës. Ky qëndrim hasi kritika të zjarrta nga ana e përfaqësuesve për forcim të partneritetit transatlantik. Sipas tyre, koncepti i ekonomisë strategjike tashmë është i vjetruar, nën dritën e situatës së re gjeo-politike.

Lajm pozitiv mund të jetë njoftimi për rifillimi e Dialogut në nivel të lartë midis BE-së dhe Kinës mbi çështjet ekonomike dhe tregtare, përkrah dialogut tashmë të rifilluar për të drejtat e njeriut. Si pozitive mund të vlerësohet edhe pëlqimi për bashkëpunim të mëtutjeshëm mbi çështje globale dhe arritja e marrëveshjeve ndërkombëtare – si për shembull në fushën klimatike. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme që të “mbulohen” dallimet jo vetëm ndërmjet nikoqirit dhe vizitorëve, por edhe ndërmjet vetë vizitorëve. Me sa duket tejkalimi i dallimeve brenda vetë BE-së është i domosdoshëm, sepse gjithnjë e më të shpeshta janë paralajmërimet se BE-ja nuk mund të përballojë gjeopolitikisht “ndarje” të njëkohshme edhe nga Rusia edhe nga Kina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button