Qyteti që zgjon kujtime fëmijërie

Ferizaj është qytet i bukur. Ka diçka që vetëm ndjehet. Se qytetet nuk e kanë vetëm përmasën e dukshme, por edhe të padukshmen, të paprekshmen, atë që ndjehet. Thellësisht. Qytetet nuk janë vetëm e tashmja, por edhe e kaluara. Nuk janë vetëm ndërtesat, por edhe kultura, historia e tij dhe veçantitë e njerëzve. Qytetet janë të veçantë kur e kanë forcën e mistershme që na pengon ta braktisim atë edhe kur e dimë se diku tjetër mund të shohim gjëra më të bukura, kur e ndjejmë, siç thotë Kavafisi, se “qyteti pas teje do të vijë” ngado që të shkosh, kur e kemi bindjen se “tek ai qytet ke për t’u kthyer” ngado që të bredhësh.

Ferizaj më zgjon kujtime fëmijërie. Si me hinkë më derdh në mendje imazhe të qarta e të turbullta të një kohe të largët, kur me të atin e gjyshin shkonin shpesh atje.

Ferizaj i shekullit të kaluar (ne jemi brez që jetuam në dy shekuj) ishte qytet me rrugë të baltosura. Aty më bënin përshtypje buka dhe qoftet me formë të ndryshme nga të vendlindjes. Por e veçanta e Ferizajt ishin dhe mbeten ferizajasit. Njerëz miqësorë, të fisëm, krenarë dhe tregtarë të zotë.

Nga Tetova në Ferizaj shkohet nëpërmjet rrugës së Shkupit ose asaj të Sharrit. E para është autostradë, përjashto “monumentalen” e Bllacës, që ka humbur në procedura. Autostrada “Arben Xhaferi” është si urë e gjatë dhe nga më të bukurat në rajon. E dyta është rrugë e ngushtë, por ka bukuri të mahnitshme. Dimrit ngado sheh peizazhe të bardha. Në pranverë, kur lulëzon gjithçka, duket si tunel i gjatë, mbuluar me gjethe drurësh. Në këtë zonë bën fresk edhe në ditët më përvëluese të verës.

Tetova dhe Shkupi përherë kanë pasur lidhje të ngushta me Ferizajn. Lidhjet me Kaçanikun kanë qenë edhe më të ngushta. Fshatra të kësaj zone, në të kaluarën, shënoheshin si fshatra të Tetovës. Një kaçanikas, pra, është tetovari i dikurshëm.

Për Ferizajn, që iu ndryshua emri në Uroshevac pas pushtimit të vitit 1913, ndonëse shqiptarët kurrë nuk e quajtën me këtë emër, kanë shkruar shumë udhëpërshkrues. Le të përmendim, si shembull, gjeografin, shkrimtarin dhe pedagogun e Universitetit të Zagrebit, Dr. Milan Shenoa (1869 – 1961), të birin e shkrimtarit të njohur kroat August Shenoa. Në vitin 1921 ai erdhi për ta parë Sharrin, kurse pas një viti e botoi në Zagreb udhëpërshkrimin “Nën malin Sharr”. Ai thotë se pranë Ferizajt ishte qyteti i Musa Kesexhisë (për Kaçanikun), si për të dëshmuar se në këtë zonë gërshetoheshin realja dhe imagjinarja.

“Ferizaj është qyteti më i rëndësishëm i rajonit, sepse aty kalon udha nga Bosnja drejt detit Egje. Ai ka 500 shtëpi dhe 30 dyqane. Banorët janë myslimanë, shqiptarë dhe boshnjakë, ka edhe serbë, shqiptarë katolikë dhe vllahë. Kjo është shenja më e mirë që tregon se sa i rëndësishëm është ky vend në aspektin tregtar”, shkruan ai.

Kur Milan Shenoa arriti në Ferizaj ishte i ngarkuar me paragjykime për shqiptarët me plisa, por me të hyrë në një “mejhane” e ndryshoi bindjen. Aty takoi shqiptarë miqësorë, të hapur, me ndjenjë humori, që e mirëpritën me respekt e dashuri. Aq shumë u impresionua në Ferizaj sa tha: “Ky është një vend i kulturuar”.

Ferizaj sot është qytet modern. E ka teatrin profesionist. Me dekada organizohet festivali i teatrove. Me dekada funksionon shoqata letrare “Jeronim de Rada”, që ka botuar shumë libra. Bëhen shumë investime në infrastrukturë. Nuk sheh më rrugë të baltosura, por të bukura. Tregtia është e zhvilluar. Ndryshe nga qytetet e këtushme që bëhen provinca të mjera. Aty sheh edhe rini të motivuar, kurse këtu të rinjtë ikin nga vendi i tyre, sepse ai nuk u ofron asgjë.

Ferizaj është qytet dinamik, që frekuentohet nga vizitorë vendesh të ndryshme, veçanërisht të shtunave, kur është ditë tregu. Shkaku: sepse ofron shumë më tepër se qytetet e Maqedonisë së Veriut. Ai bëhet tërheqës jo vetëm për shkak të përmasës që duket, por edhe të asaj që nuk duket, por ndjehet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button