Përfundoi dita e parë e gjykimit në Gjykatën Speciale

Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton REL.

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.

“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.

Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.

Ndërkaq, viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trysni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.

Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.

Në përmbyllje të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson, tha se asnjë gjykate nuk i është kërkuar më herët të shqyrtojë rolin dhe përgjegjësinë për pjesëtarët individualë kyçë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç i është kërkuar Gjykatës Speciale.

Ajo tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen rrëfimet e disa prej viktimave të krimeve të pretenduara të ish-krerët e UÇK-së.

“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button