Në Tetovë ka mungesë të logopedëve, Kasami: MASh nuk jep pëlqim për punësime

Shkollat në Tetovë kanë mungesë të theksuar të logopedëve dhe interesimi për të studiuar këtë fushë është i ulët. Kështu deklaroi drejtoresha e Qendrës për fëmijë me aftësi të kufizuara “Imago Plus”, Zemrijet Bela Veseli me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Autizmit. Nga Komuna e Tetovës të vetëdijshëm për këtë fakt, theksojnë se kanë kërkuar punësime për të njëjtët, por MASh nuk u ka kthyer përgjigje. Nga MASh theksuan se për punësimet e reja për këtë vit shkollor i kanë kthyer përgjigje komunës ndërsa për vitin tjetër shkollor do vazhdojnë me analizat e tyre, shkruan Portalb.mk.

Bela Veseli thotë se numri i fëmijëve me autizëm dita ditës rritet, megjithatë si organizatë nuk kanë të dhëna se sa fëmijë me autizëm janë në vendin tonë. Ajo thekson se nën mbështetje të institucioneve shtetërore dhe komunale ka ngritje të vetëdijes. Sipas saj, diagnozat janë sekondare.

“Pasi shumë vite punohet në këtë aspekt, kemi arritur që fëmijët me pengesa në zhvillim të jenë pjesë e shoqërisë tonë në shkolla, kopshte dhe institucione tjera. Prindërit kanë filluar të vetëdijesohen rreth kësaj kategorie. Prej vitit të kaluar dhe sivjet është bashkuar edhe asistenca arsimore ku këta fëmijëve u takon asistent, shoqërues në mësim që do tu ndihmojnë për arritjen e aftësive të tyre”, theksoi Bela Veseli.

Në këtë drejtim sipas saj, nëpër shkolla nuk ka logopedë përveç edukatorëve special dhe rehabilatorëve.

“Për logoped kemi mungesë, sidomos rajoni i Tetovës ka mungesë të logopedëve. Nuk e di ku është arsyeja pse nuk studiojnë logopedinë. Ka mungesë të kuadrit. I ftojmë studentët të mos fokusohen vetëm në edukim special dhe rehabilitim, pasi një periudhë kjo ishte mungesë, ku momentalisht kemi numër të mjaftueshëm për edukatorë special, tani bëjmë thirrje për logoped të cilët janë mjaft të rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor te fëmijët”, tha Bela Veseli.

Bilall Kasami (kryetar i Komunës së Tetovës) dhe Zemrijet Bela Veseli (drejtoreshë e Qendrës për fëmijë me aftësi të kufizuara “Imago Plus”). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami (kryetar i Komunës së Tetovës) dhe Zemrijet Bela Veseli (drejtoreshë e Qendrës për fëmijë me aftësi të kufizuara “Imago Plus”). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se vlerësojnë se nëse punohet siç duhet me çdo fëmijë nesër mund të jenë faktor i rëndësishëm në zhvillimin shoqëror.

“Në këtë drejtim jemi duke punuar dhe veç më besojmë është edhe i fituar projekti për fëmijët me nevoja të veçanta, që është bashkëpunim mes Komunës së Tetovës , shoqatës, Ambasadës Zvicerane si donator dhe Ministrisë në bashkëpunim me të cilën do duhet që t’i ofrojmë shërbimet edhe për qëndrim ditor”, tha Kasami.

Në lidhje me mungesën e kuadrove profesional të kësaj fushe në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës, Kasami tha se kanë problem në komunikim me Ministrinë e Arsimit.

“Ne si pushtet lokal kemi kërkuar pëlqim nga Ministria për punësim të kuadrove profesional, psikologë, pedagogë, defektologë por fatkeqësisht deri sot nuk kemi gjetur një përgjigje”, tha Kasami duke apeluar që Ministria të jep pëlqim për të njëjtat.

Këto komente u bënë sot nga shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Autizmit nën moton “Jam mes jush, i ngjashëm, i ndryshëm, i barabartë”, që u shënua në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël.

Për këtë problem, kërkuam sqarim edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga kjo Ministri Për Portalb.mk thonë se Komuna e Tetovës ka aplikuar në shkurt të vitit 2023 me kërkesë për financime të reja për punësimin e shërbimit profesional për tetë shkolla fillore ku kërkojnë gjithsej tetë edukatorë specialë dhe rehabilitatorë, tre psikologë, dy sociologë dhe një pedagog.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës shqyrton të gjitha kërkesat e ardhura nga shkollat, ndërsa duke i shqyrtuar kërkesat, bëhet analizë gjithëpërfshirëse e numrit të nxënësve dhe paraleleve, numrit të nxënësve me aftësi të kufizuara, sa nga bllok dotacionet që transferohen në komuna shpenzohen për paga, si dhe për personelin e shërbimit profesional të shkollave”, thanë nga MASh.

Nga atje theksuan se duhet pasur parasysh se duhet t’i kushtohet vëmendje edhe shfrytëzimit racional të bllok-dotacioneve, që në komunën e Tetovës vitin e kaluar ishte mbi 90%, si dhe optimizmit të paraleleve , si dhe asaj në shkolla janë të kyçur asistentë arsimorë për ata nxënës për të cilët Komisioni ka përcaktuar se nevojitet asistent arsimor.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas udhëzimeve të dorëzuara për plotësimin e kërkesave për punësim në bazë të financimit të ri të shkollave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, si dhe aty ku është më e nevojshme gjatë vit, dhe pas analizave i është drejtuar Ministrisë së Financave për ato pozita që kanë qenë më të nevojshme dhe sipas përgjigjes nga Ministria e Financave, të gjitha përgjigjet nga Ministria e Financave i ka dorëzuar në komunën e Tetovës”, thanë nga MASh.

Nga atje shtuan se gjatë vitit akademik 2023/2024 do të vazhdojnë me analizën dhe miratimin e financimit të ri sipas një analize të detajuar, në mënyrë që sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nëse është realisht e nevojshme dhe në kuadër të kapacitetet e disponueshme, do t’i drejtohen Ministrisë së Financave.

Përndryshe, autizmi është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprimi shoqëror dhe sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës dy vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ. Dita Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Autizmit shënohet çdo vit me 2 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button