Lupço Georgievski: Pse BDI ka rol dominues në çështjen e emrit?

Partia e ish kryeministrit Lupço Georgievski, VRMO-Popullore ka reaguar sot me një komunikate duke iu drejtuar Qeverisë dhe kryeministrit Gruevskit, kërkon sqarim rreth angazhimit dominues të BDI-së në zgjidhjen e çështjes së emrit.

Nga partia e Georgievskit kritikojnë Qeverinë se në pamundësi për t’i zgjidhur çështjet e brendshme kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët. Duke përshëndetur nga njëra anë nismat e kreut të BDI-së Ahmetit, për të zgjidhur çështjen e emrit dhe nxitjen e integrimeve euroatlantike, Georgievski nga ana tjetër shpreh shqetësimin për rrezikun që mund të rezultojë nga marrëdhëniet e brishta ndëretnike, e që theksohen edhe në letrat e Ahmetit drejtuar ndërkombëtarëve.

Nga kjo parti gjithashtu shprehen të shqetësuar nga formulimi se bllokimi i integrimeve euro-atlanatike të Maqedonisë mund të kërcënojnë stabilitetin e vendit, por edhe të Ballkanit Perëndimor.

“VMRO Popullore u bën thirrje të gjithë faktorëve politik relevant që të bëjnë përpjekje maksimale për integrimin e shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Në këtë mënyrë do të parandaloheshin dhe do të shmangeshin parashikimet ogurzeza si dhe kërcënimet për destabilizime të mundshme”, theksohet në komunikatën e VMRO Popullores.

Nga Qeveria heshtin rreth reagimit të VMRO Popullores. Nga ana tjetër nga BDI-ja thanë se mirëpresin çdo përpjekje për përfshirje të të gjithë shoqërisë drejt gjetjes së kompromisit me fqinjin jugor, gjë që do të mundësonte zhbllokimin e proceseve integruese të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button