310 mijë të huaj erdhën në Shqipëri vetëm në muajin shkurt
Në muajin shkurt në Shqipëri kanë ardhur 695 mijë njerëz, nga të cilët 310 mijë shtetas të huaj. Numrat tregojnë për shtim të numrit të vizitorëve me 50%, raporton EN.
Në Shqipëri po hyjnë gjithnjë e më shumë vizitorë nga jashtë dhe kjo nuk po ndodh vetëm në muajt e verës. Nëse shohim trafikun në muajin shkurt, autoritetet kanë regjistruar 310 mijë hyrje nga njerëz të huaj, nga 200 mijë që erdhën shkurtin e kaluar.
Pra, diferenca është e lartë dhe në deklarimet që ata kanë bërë, shumica raportojnë se kanë ardhur për pushime, arsye personale dhe vizitë tek miqtë e tyre.
Kjo prirje e qarkullimit në rritje, është më e fortë nga Europa, ku përmes linjave ajrore, apo kufijve tokësorë e detarë kanë ardhur 300 mijë shtetas të huaj. Ndërkohë nga Amerika kanë ardhur 6000 të tillë dhe pjesa tjetër, rreth 3000 vetë kanë mbërritur nga pjesë të tjera të globit.
Bashkë me hyrjen e shtetasve shqiptarë, në muajin shkurt kanë hyrë në vendin tonë 695 mijë njerëz.
Kjo lëvizje është pozitive pasi injekton para në vendin tonë e cila shpërndahet tek bizneset vendase dhe njëkohësisht zgjeron konsumin e investimet. Me ritmin e qarkullimeve që nga muaji janar, pritet që edhe ky vit të shënojë rekorde në fluksin turistik në vend.