Për artisten e prurjeve cilësore në poezinë shqipe

Shkrimtari dhe filozofi i përmasave botërore Isuf Luzaj (1913-2000) thoshte se: Poezia është lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare. Ajo qe shpikja e parë, pas  shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha. Ajo nisi me Konfuçin, Budën, Krishtin, Muhamedin e të tjerë, që synuan afrimin e njeriut me Perëndinë dhe në fillimet e saj qe shprehje e dhembjes së njeriut që qanë për të dashurit e humbur – atin, nënën, djalin, bijën, motrën, vëllain, burrin, të fejuarin e kështu tutje.

Dhe vërtet, poezia është mbretëresha e shkrimeve, e bërë nga krijues të veçantë mbi shpatullat e të cilëve Zoti e mban dorën e Tij më gjatë se tek të tjerët. Poezia është shkrimi më i ngjeshur, më shumështresor dhe më i figurshëm se cilido shkrim tjetër, ndaj si i tillë është vështirë të analizohet e komentohet me gjuhë proze. Poezia është krijim letrar që bart te lexuesi më shumë emocion se çdo lloj tjetër shkrimi, kurse mrekullinë e saj e ndjejnë vetëm njerëzit me shije të hollë estetike, nëpërmjet vrushkujve të etheve që përshkojnë boshtin kurrizor të lexuesit.

 Kështu thoshte poeti, eseisti dhe kritiku i famshëm francez Pol Valeri (1871-1945), për të cilin poet i mirë është ai që ka shumë talent dhe që ka konsumuar shumë dije, sepse poezinë e lind frymëzimi i talentit, por e gdhend, e laton dhe ia heq gungat e panevojshme kultura e gjerë dhe shija e veçantë për të bukurën.

Sipas lirikut më të madh shqiptar Lasgush Poradecit: Nuk ekziston poezi tjetër pos poezisë së klasit të parë. Poezia duhet t’i ngjallë të njëjtat emocione, si lexuesit të sotëm ashtu dhe atij që do të vijë pas njëmijë vjetëve. Ajo duhet të jetë e tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.

 Fatmirësisht, e tillë është poezia e Nurie Emrullait, profesoreshës së re në katedrën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe të Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”, artistes së urtë, të zgjuar dhe të vyeshme, fjalëpakë dhe modeste, talenti i veçantë i së cilës, fillimisht ra në sy pas botimit të një tufe lirikash  në Revistën letrare të Tiranës “illz”. Aq iu desh për të dëshmuar se shkruan ndryshe nga të tjerët, se shkruan me jetën e saj, se është zë i veçantë i poezisë së sotme shqipe, që sigurisht  do të bëjë emër të shquar edhe përtej arealit kulturor shqiptar.

Gjer më tani, Nuria ka botuar tri përmbledhje poetike: “Për gjysmën tjetër të hënës” , të botuar më 2019 në Tetovë nga SHB “Syth”; “Vargmale nën dhe”, të botuar më 2020 në Tiranë  nga  SHB prestigjioze “Onufri”, e njohur si botuesja e veprave të Ismail Kadaresë, e cila në vitin 2021 botoi dhe përmbledhjen e tretë të Nuries: “Në orën moderne të Perëndive”, të gjitha të pritura si sihariqe të mëdha nga publiku lexues dhe kritika letrare.

Për vlerat e veçanta estetike të poezive, Nuria fitoi “Fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për të rinj” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri; qe fituese e rezidencës artistike në Stamboll; fitoi çmimin për përmbledhjen “Vargmale nën dhé” nga libraria “Furra e Books” dhe çmimin për librin më të mirë me poezi “Në orën moderne të Perëndive” nga Bukinist.al. Kurse, para pak ditësh, në një konkurencë të madhe dhe të fortë krijuesish të mirënjohur, Nuria fitoi Çmimin prestigjioz “Kadare” për vitin 2023. Kësaj here, jo me ndonjë përmbledhje poetike por me romanin e saj të parë “Duhet të jetë dashuria”. Çmimi iu nda me motivacionin për gjetjet stilistikore dhe talentin për t’ia dhënë mikrokozmosit të saj frymën e një letërsie universale, për qartësinë që e dallon nga të tjerët, për letërsinë pa klishe, për stilin autentik, për frymën kompozicionale të romanit me strukturë të qëdrueshme prozaike dhe për gjuhën e pasur nëpërmjet së cilës shpërfaq realitetin që e jetojmë të gjithë ne.

Krijimtaria e Nuries përmbush kërkesat estetike të Tomas Stern Eliotit (1888-1965), njërit prej poetëve më të mëdhenj të botës në shekullin XX, sipas të cilit: Poezia e mirë duhet të ketë tipare të pangjashme me krijimet e të tjerëve, veçmas me veprat e poetëve të vdekur prej vitesh, sepse e reja është më e mirë se përsëritja. Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, si i vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët pararendës. S’mund ta vlerësosh dikë pa e vendosur për kontrastim dhe krahasim midis poetëve pararendës.

 Këtë e di mirë poetesha, shkrimtarja, studiuesja dhe lexuesja e pasionuar e librave të shumëllojshëm të autorëve të shquar të letërsisë shqipe dhe botërore, e cila thotë se pa njohjen e artit që kanë krijuar dhe krijojnë të tjerët nuk mund të shkruash mirë vetë, e cila i kthehet të shkuarës për ta njohur më mirë të tashmen…

Po e mbyll shkrimin me paragrafin e shkëputur nga vlerësimi domethënës i profesorit dhe shkrimtarit të mirënjohur Virion Graçit, të bërë për veprën“Vargmale nën dhe” të Nuries:

Libri i Nurie Emrullait “Vargmale nën dhé” ka përmasat dhe rëndësinë e një antologjie; antologjie të një autori kariere që nga fundi i jetës së gjatë krijuese bën bilancin e gjërave të çmuara, farkëtuar ndër vite; antologjie të një grupi autorësh, të një breznie a të një mjedisi tjetër gjuhësor/krijues. Për habinë tonë fatlume, libri ka vetëm një autore dhe autorja është e re dhe në fillimet e saj. Libri “Vargmale nën dhé” lexohet me ëndje, deri në poezinë e mbrame. Ai është prurje e jashtëzakonshme cilësore në poezinë bashkëkohore shqipe; është ansambël poezish ku eksperimenti shndërrohet në risi, prozaizmi i përditësisë – në poezi, liria krijuese shndërrohet në vlerë sipërore estetike, në art të përvetshëm letrar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button