Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, tema e sotme e skriningut shpjegues RMV- BE (Video)

Procesi i skriningut shpjegues midis Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian sot ka vazhduar në klasterin e katërt, konkretisht për kapitullin 27- “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. Temë kjo e cila është një nga shtyllat kryesore të BE-së dhe njëkohësisht një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi. Gazetari i Portalb.mk tani e tre ditë ndodhet në Bruksel dhe po ndjek nga afër këtë proces.

Ekipi nga BE-ja sqaroi para delegacionit të vendit mbi temën e mjedisit dhe politikat e BE-së në këtë drejtim.

Delegacioni i vendit sot u kryesua nga zëvendës kryenegociatorja e Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu-Halili, ndërsa prezent ishin nga institucionet kompetente të vendit të cilat merren me politikat mjedisore.

Abdiu-Halili sqaroi se kjo pikë është një nga pikat më sfiduese dhe më të kushtueshme për vendin, si dhe disa pika ku vendi ka bërë përparim në këtë drejtim.

Procesi i skriningut sqarues zhvillohet bashkërisht edhe për Shqipërinë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë nënkupton kapitulli i 27?

Kapitulli 27-  Mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë grup politikash që synojnë mbrojtjen e mjedisit nga shqetësimet e ndryshme antropogjene, si dhe reduktimin e rreziqeve ndaj ndryshimeve klimatike, shëndetit publik dhe biodiversitetit. Kapitulli është horizontal nga natyra dhe luan rol të rëndësishëm në formësimin dhe zbatimin e politikave të energjisë dhe transportit. Ai mbulon fushat si: legjislacioni horizontal, cilësia e ajrit, menaxhimi i mbetjeve, cilësia e ujit, mbrojtja e natyrës, kontrolli i ndotjes industriale, zhurma, pylltaria, kimikatet, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja civile.

Fokusi i politikave mjedisore të BE-së është Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, e cila synon të prezantojë një ekonomi neutrale ndaj klimës në BE deri në vitin 2050, duke zhvilluar burime të pastra të energjisë dhe teknologji të gjelbra, duke respektuar parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Për të arritur angazhimet ambicioze politike të BE-së, është përgatitur një projekt-rregullore mbi Neutralitetin Klimatik dhe një plan veprimi për arritjen e objektivave në të, duke përdorur një mekanizëm të përshtatshëm financiar të Tranzicionit të Drejtë. Plani i Veprimit të BE-së përfshin Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila do të zhvillohet dhe promovohet në periudhën e ardhshme në të gjitha vendet e rajonit dhe kështu harmonizimi i politikave kombëtare me politikat dhe dinamikat e BE-së në këtë fushë do të jetë i pashmangshëm.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë është procesi i skriningut?

Skriningu paraqet operacion formal me karakter teknik që realizohet nga ana e Komisionit Evropian dhe ka për qëllim përgatitjen e mirëfilltë të bisedimeve për anëtarësim që në esencë paraqet prezantim analitik të gjendjes në vendin kandidat që ka të bëjë me sferat e interesit nga e Drejta e Unionit Evropian.

Si proces, ai ka për qëllim që në njërën anë të mundësojë që Komisioni dhe vendet anëtarë të vlerësojnë në mënyrë korrektë shkallën e përgatitjes për bisedime të vendeve kandidat, dhe në anën tjetër të njëjtët të jenë të informuar në mënyrë të mirëfilltë për planet e tyre të ardhshme si dhe të firojnë ose marrin drejtime apo të dhëna preliminare lidhur me çështjet ose pyetjet që do të jenë më aktuale gjate negociatave.

Skriningu zakonisht zgjat një vit dhe i njëjti realizohet në bazë të një orari ose agjende të përgatitur nga ana e Komisionit apo Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim në konsultim me drejtori të tjera kompetente. Aktiviteti realizohet në sipas sferave apo kapitujve.

Në këtë drejtim, së pari mbahen takime dhe mbledhje që kanë të bëjnë me sqarime, në të cilat përfaqësuesit e Komisionit në mënyrë të detajuar bëjnë prezantimin e të Drejtës Evropiane ndërsa më pas mbahen takime bilaterale me secilin shtet.

Më pas Komisioni përgatit raport për Skriningun e realizuar të cilin ia prezanton Këshillit. Pas përmbylljes së Skrining-ut të sferave apo kapitujve të caktuar, me rekomandimin e Komisionit, Këshilli vendos për kohen e fillimit të bisedimeve.

Raporti i Skriningut përmban katër pjesë:

  • Sqarim dhe shpjegime lidhur me të drejtën e Unionit Evropian që përmban kapitulli në fjalë,
  • Rezultatet nga Skrining-u, me informata të dhëna nga ana e vendit kandidat , dhe vlerësimin e bërë nga ana e Komisionit,
  • Konkluzione dhe sugjerime nga Komisioni,
  • Në pjesën e fundit, Komisioni i sugjeron Këshillit nëse duhet të fillojnë bisedimet për sfera të caktuara dhe nëse jo-cilat janë rregullat që duhet të përfillen dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen.

Skriningu sqarues për klasterin e katërt filloi të mërkurën me kapitullin 14 “Politika e transportit”, dje vazhdoi me kapitullin 15 “Energjia” dhe 21 “Rrjetet trans-evropiane” ndërsa skriningu sqarues për kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” përveç se sot do të vijojë edhe ditën e hënë.

Gazetarët nga RMV-ja në skriningun shpjegues

Procesi i skriningut shpjegues për klasterin e katërt, tani e tre ditë ndiqet nga  disa gazetarë nga vendi të cilët kanë udhëtuar në Bruksel përmes projektit “Mbështetja Nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut”  për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij.

Pjesëmarrës është edhe gazetari i Portalb.mk– Fisnik Xhelili. Projekti është bashkëpunim i përbashkët i UNOPS-it dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbështetur nga Qeveria e Suedisë.

Gazetarët në këto tre ditë, në Bruksel në institucionet e BE-së dhe Misionit të Maqedonisë së Veriut në BE, kanë pasur takime me zyrtarë, diplomat nga BE-ja dhe vendi, me të cilat janë diskutuar tema të ndryshme për sfidat në lidhje me procesin eurointegrues të vendit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button