Për herë të parë në Shkup do të mbahet takimi i Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE – Maqedonia e Veriut

Sot në Shkup do të mbahet takimi i 16-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, i cili do të drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varhei, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane, transmeton Portalb.mk.

Takimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet vendit dhe BE-së janë mbajtur deri më tani në Bruksel dhe kjo është hera e parë që një takim i tillë mbahet në Shkup, të cilin pala maqedonase e konsideron si “një sinjal të shkëlqyer në vetvete”. 

Sipas njoftimeve, në takim do të diskutohet për statusin e reformave, progresin në integrimet evropiane dhe marrëdhëniet dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Borrell, përveç pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, sot është paraparë të takohet edhe me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, me ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, si dhe me me nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane.

Borel dhe Varheji mbërritën në vend dje pasdite vonë nga Tirana, ku më herët gjatë ditës morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Në aeroportin e Shkupit, dy përfaqësuesit e lartë të BE-së u pritën nga zëvendëskryeministri Mariçiq, e cila në një postim në Facebook shkroi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përdorin mbështetjen politike që kanë nga BE-ja për të garantuar stabilitet, paqe dhe Perspektiva evropiane e rajonit.

Para ardhjes në vend, Borrell në një intervistë për MIA-n tha se Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i një shoqërie multietnike dhe se me ndryshimin e Kushtetutës do të përmirësohen edhe më tej të drejtat themelore në vend dhe në të njëjtën kohë do të ruhet identiteti maqedonas dhe vendi do të avancojë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Anëtarësimi në BE nuk mund të jetë projekt i një partie politike, por duhet të jetë aspiratë e gjithë vendit. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në BE, pasi duan t’i përkasin një komuniteti vlerash dhe të përfitojnë nga kufijtë e hapur, udhëtimi i lehtësuar, tregu i brendshëm dhe standardet e BE-së në tërësi. Me pak fjalë, qytetarët duan paqe, prosperitet dhe një jetë më të mirë në BE, për veten dhe fëmijët e tyre. Kjo është arsyeja pse është përgjegjësi e të gjithë liderëve tuaj politikë që të punojnë dhe ta realizojnë këtë qëllim”, tha Borrell.

Borrell vazhdon qëndrimin në vend nesër në Ohër, ku me ndërmjetësimin e BE-së do të mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kushtuar normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella. Në Ohër është paralajmëruar prania e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nikoqir i të cilëve do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte shteti i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimorë i cili me BE-në kishte arritur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, qysh në vitin 2001. Por, u desh të priste deri në vitin 2022 për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Vitin e kaluar, negociatat e anëtarësimit u nisen edhe me Shqipërinë.

Pritet që gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell me mikpritësit e tij të bsiedojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, për pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe rajonin, dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve të përballje me këto pasoja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button