Borrell sot dhe nesër në Shkup në takime me krerët e shtetit, ndërsa të shtunën në Ohër me Vuçiqin dhe Kurtin

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borel, sot duhet të arrijë në vend për vizitë zyrtare. Ai do të qëndrojë në vend tri ditë, prej të cilave nesër dhe pasnesër do të jetë në Shkup, ndërsa të shtunën do të jetë në Ohër, transmeton Portalb.mk.

Në Shkup, siç është paralajmëruar, ai do të udhëheqë delegacionin e BE-së në takimin e 16-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, që do të mbahet nesër, ndërsa sot është paraparë të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Në agjendën e tij ka takime me presidentin Stevo Pendarovski, ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, nënkryetarët, koordinatorët e partive politike dhe kryetarët e Këshillit Nacional për Integrime Evropiane dhe Komisionit për Çështjet evropiane në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nga Shkupi, Borrell dhe Kovaçevski do të shkojnë në Ohër, ku më 18 mars pritet të ketë vazhdim të dialogut Beograd-Prishtinë, ku do të marrin pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Maqedonia e Veriut ishte shteti i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimorë i cili me BE-në kishte arritur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, qysh në vitin 2001. Por, u desh të priste deri në vitin 2022 për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Vitin e kaluar, negociatat e anëtarësimit u nisen edhe me Shqipërinë.

Pritet që gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell me mikpritësit e tij të bsiedojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, për pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe rajonin, dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve të përballje me këto pasoja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button