NDI: Partitë e RMV-së kanë arritur marrëveshje për disa çështje të reformave zgjedhore

Instituti Nacional Demokratik (NDI) i SHBA-së, njoftoi se pas bisedimeve treditore për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, partitë politike në RMV kanë rënë dakord për disa çështje për përforcim të integritetit të procesit zgjedhor, njofton Portalb.mk.

NDI, nëpërmjet një kumtese paraqiti disa prej konkluzave, për të cilat partitë bien dakord:

Në një periudhë sa më të shkurtër kohore, Ministria e Drejtësisë do të përgatisë një tekst zyrtar të rishikuar të Kodit Zgjedhor, i cili do të jetë pikënisja për diskutime të mëtejshme lidhur me ndryshimet dhe shtesat e mundshme.

Menjëherë do të krijohet grupi i punës për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, i cili do të përfshijë rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR.

  • Kodi Zgjedhor duhet të harmonizohet në mënyrë integrale me ligjet e tjera përkatëse, në përputhje me angazhimet e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Reformat e legjislacionit zgjedhor duhet të kryhen në procedurë publike, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ, në shtëpinë legjislative dhe të sigurojnë kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme, për të garantuar sigurinë juridike;
  • Dispozitat në Kodin Zgjedhor duhet të korrespondojnë me funksionalitetin e Regjistrit Qendror të Popullsisë;
  • Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror i Revizionit duhet të pajisen me burime adekuate njerëzore dhe financiare për kryerjen efikase të mandatit të tyre gjatë periudhës zgjedhore.

Partitë politike bien dakord edhe për rekomandimet e mëposhtme:

  • Do të fillojë diskutimi për listat e hapura për zgjedhjen e këshilltarëve të komunave për zgjedhjet e ardhshme vendore të planifikuara të mbahen në vitin 2025;
  • Do të fillojë diskutimi për garantimin e barazisë gjinore në listat për përzgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, në raportin 50:50;
  • Do të fillohet diskutimi për rishikimin e mënyrës ekzistuese të zgjedhjes së deputetëve nga diaspora;
  • Partitë politike do të punojnë së bashku me ndërmjetësimin e NDI dhe kompanisë META për të mbrojtur hapësirën online, veçanërisht rrjetet sociale, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Fusha të veçanta të mbrojtjes do të jenë gjuha e urrejtjes dhe mbrojtja nga dhuna ndaj grave në politikë.

Rikujtojmë se më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.

“Ministri Lloga informoi se grupi punues nuk mund të fillojë me punë për shkak të faktit se VMRO-DPMNE nuk propozon një anëtar të vetë edhe pas shumë kërkesave për nominim të një përfaqësuesi nga ana e tyre”, informuan nga Ministria e Drejtësisë.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button