FMN: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për rritje të të hyrave nga tatimi

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka dërguar një komunikatë për raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN), në të cilin thuhet se në Kosovë të ardhurat nga tatimet u rritën fuqishëm, duke shënuar rritjen më të madhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Koha.net.

“Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar i nxjerrë për Kosovën, ka vlerësuar lartë aktivitetet e Administratës Tatimore të Kosovës në inkasimin e të hyrave dhe formalizimin e punëtorëve. Në raportin e fundit të FMN-së thuhet se ‘Pas pandemisë, të ardhurat nga tatimet u rritën fuqishëm, duke shënuar rritjen më të madhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor’”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Sipas ATK-së në raport theksohet se rreth një e treta e rritjes së të hyrave nga TVSH-ja në vitet 2020–2022 mund të shpjegohet me përmirësimet në administrimin e tatimeve, duke përfshirë rritjen e formalizimit.

“Gjithashtu, në raport pasqyrohet rritja e fuqishme e të hyrave nga Tatimi në të Ardhurat e Korporatave (TAK). Përderisa rritja e TVSH-së dhe TAK-ut shpjegohet kryesisht me rritjen e bazës tatimore (rritjen e numrit te bizneseve që paguajnë tatim). Në përgjithësi rritja e formalizimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e të hyrave të përgjithshme. Kjo është mbështetur nga përpjekjet e ATK-së në formën e rritjes së kontrolleve dhe inspektimeve në teren”, thuhet në komunikatë.

ATK-ja thekson se në raport theksohet përkushtimi i saj në formalizmin e punësimit. “Thuhet se sipas të dhënave në nivel sektori tregohet se mbështetja e qeverisë për të rritur punësimin formal, duke përfshirë edhe femrat, gjithashtu shpie në rritjen e të hyrave nga Tatimi në të Ardhura Personale ( TAP). Rritja e punësimit në sektorët që priren të kenë nivele relativisht të larta informaliteti, siç është akomodimi, shërbimi ushqimor dhe sektori i ndërtimtarisë, kanë zgjeruar bazën tatimore të TAP. Rritja e punësimit të femrave mund të shpjegojë gjithashtu një pjesë të rritjes së punonjësve të regjistruar. Ndërsa, punësimi i femrave në Kosovë ka qenë relativisht i ulët, ai u rrit më shpejt se punësimi i meshkujve gjatë dekadës së fundit, duke rezultuar në një rritje të përqindjes së femrave në punësimin total nga rreth 30 për qind në vitin 2012 në rreth 40 për qind në vitin 2022”, thuhet në raport.

Sipas ATK-së ndër të tjera, në këtë raport vlerësohet edhe rritja e bazës tatimore sipas llojeve të tatimeve, bashkëpunimi ndërinstitucional në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të ATK-së për rritjen e partneritetit me qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button