Rritje e çmimit të produkteve industriale mbi 11 % në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë është ulur prodhimtaria
Në Maqedoninë e Veriut në janar është regjistruar rritje e çmimit të prodhimeve industriale në krahasim me janarin e kaluar, ndërkohë është regjistruar ulje e prodhimit, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë muajit janar 2023, Indeksi i çmimeve të shitjes së prodhuesve të prodhimeve industriale totali, janë më të larta për 0.1 % në nivel mujor dhe për 11.5 %, në nivel vjetor”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Rritje më e madhe është vërejtur te sektori për furnizim me energji elektrike (14.1 %) dhe industrinë përpunuese (11.9 %).
“Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në muajin janar të vitit 2023, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, shënon rritje tek Energjia për 15.1%, Mallra të qëndrueshme të konsumit të gjerë për 9.0 % dhe Mallra jo të qëndrueshme të konsumit të gjerë për 6.2 %, derisa rënie vërehet te Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 15.1 % dhe Prodhimet kapitale për 2.6 %”, raportoi Enti.
Prodhimi industrial në krahasim me janarin e kaluar ka shënuar rënie për 2.3 %, ndërkohë numri i punëtorëve është rritur për 0.5 %.