Trençevska: Këshilli ekonomiko-social të hënën do të vendosë për lartësinë e pagës minimale

Sa do të jetë shuma e re e pagës minimale duhet të dihet të hënën, kur Këshilli ekonomiko-social do të vendosë për këtë çështje, paralajmëroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska. Sipas ministres, shuma e re e pagës minimale do të përfshihet në përllogaritjet e punëdhënësve për pagat e muajit mars që ata do t’u paguajnë punonjësve të tyre, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi për masën e pagës minimale sillet pikërisht në Këshillin ekonomiko-social, më pas publikohet në “Gazetën zyrtare”, në mënyrë që punëdhënësit të harmonizojnë pagat që do të paguajnë për muajin mars me vendimin, gjegjësisht me shumën e pagës minimale”, thotë ajo në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA.

Këshilli ekonomiko-eocial është organ trepalësh, i themeluar nga Qeveria dhe partnerët social për të zhvilluar dialog social me qëllim të krijimit të kushteve për stabilitet ekonomik dhe social.

Nënshkrues të marrëveshjes për themelimin e Këshillit ekonomiko-social janë Qeveria, Sindikata e Maqedonisë, Konfederata e sindikatave të lira të Maqedonisë dhe Organizata e punëdhënësve.

Pritjet, sipas njoftimeve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, janë se do të ketë rritje të pagës minimale, e cila tani arrin në 18.000 denarë.

Në fjalimin e tij në konferencën “Viti i mundësive të reja” më 30 janar, Kovaçevski paralajmëroi rritje të pagës minimale për rreth 2.200 denarë.

Siç theksoi atëherë kryeministri, me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për pagën minimale të miratuar në vitin 2023, në vend të 18.000 denarë që janë tani, do të jetë 20.200 denarë.

“Ne e kemi rritur pagën minimale neto në mars 2022 në 18.000 denarë në muaj. Ajo është për 3.000 denarë më e lartë se paga minimale e vitit të kaluar në muajin prill, kur ishte 15.000 denarë. Me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për pagën minimale, të cilin e miratuam, në vitin 2023, në përputhje me rritjen e kostos së jetesës, paga minimale do të jetë rreth 20.200 denarë”, tha Kovaçevski.

Duke iu referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, ai tha se nga nëntori i vitit të kaluar, paga mesatare neto është rritur për 4.000 denarë, e cila tani arrin në 33.000 denarë.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, në një prononcim për MIA-në, thotë se pritet që Ligji i ri për Marrëdhëniet e Punës, për të cilin janë duke vazhduar takimet dhe diskutimet me të gjitha palët e interesuara, të hyjë në procedurë qeveritare. Për këtë ligj deri më tani janë mbajtur 10 debate, informon Trençevska.

“Ne vazhdojmë të mbajmë takime individualisht me secilin target grup, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë, e cila do t’u përshtatet si punëdhënësve, ashtu edhe punëtorëve dhe diku në gjysmën e parë të vitit të mund ta vendosim në procedurë qeveritare. Me të përfunduar të gjitha debatet, grupi i punës i cili është pjesë e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale do të ulet dhe do të përfshijë të gjitha propozimet konstruktive të ardhura nga debatet. Ligji do të publikohet në ENER, në mënyrë që opinioni, sindikatat dhe punëtorët të bëjnë komente shtesë, që para se të shkojë në Qeveri teksti të jetë i harmonizuar dhe i pranueshëm si për sindikatat ashtu edhe për punëdhënësit”, thotë Trençevska.

Ndër të tjera, ligji i ri për marrëdhëniet e punës parashikon ndryshime në pushimin e lehonisë, gjë që shkaktoi interes të veçantë në opinion pasi ekzistonte frikë se ndryshimet do të shkurtonhen nëntë muajt e pushimit të lehonisë.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale doli menjëherë me sqarim se draft-versioni i Ligjit të ri për Marrëdhëniet e Punës nuk parashikon shkurtimin e pushimit të lehonisë, por sipas asaj që është paraparë, afati aktual do të zëvendësohet me tre të reja: amtare, atërore dhe prindërore.

Siç ka shpjeguar në disa raste Trençevska, pushimi i lehonisë do të zgjasë pesë muaj dhe më pas nënës do t’i pasohet edhe katër muaj pushim prindëror. Babai do të ketë leje prej 15 ditësh që do të përdoret nga momenti i lindjes së foshnjës. Gjithashtu, babai, ashtu si nëna, do të ketë të drejtë për katër muaj leje prindërore. Me këtë, të dy prindërit do të merrnin gjithsej 13 muaj, por siç tha Trençevska, lejen prindërore (nga katër muaj secili) do të mund ta shfrytëzojnë sipas dëshirës deri në moshën dyvjeçare.

Ndryshe, prej vitit 2017-të, në Maqedoninë e Veriut ka rritje të vazhdueshme të pagës minimale. Kështu, në periudhën 2017/2018, paga minimale ka qenë 12.000 denarë, ndërkaq në vitin 2019-të është rritur në 15.194 denarë. Në mars të vitit 2022, paga minimale arriti në 18.000 denarë, për dallim prej vitit 2016-të kur paga minimale ishte 10.80 denarë. Në mars të vitit 2023 paga minimale do të bëhet 20.175 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button