KQZ refuzoi regjistrimin e Berishës për zgjedhjet vendore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi sot kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit nën emrin e subjektit Partia Demokratike, raporton VOA.

Kërkesa e ish kryeministrit Sali Berisha u refuzua, sepse, siç u shpreh komisioneri i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ajo nuk bazohej në ligj dhe nuk kishte regjistrime certifikuese nga gjykata.

Pasi dëgjoi për afro dy orë përfaqësuesit ligjorë, që mbrojtën dy kërkesat me të njëjtin emër subjekti, zoti Celibashi rrëzoi kërkesën e zotit Berisha, ndërsa përfaqësuesit të drejtuesit të deleguar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili mbrojti kërkesën tjetër, la 48 orë kohë për plotësimin e dokumentacionit.

Komisioneri Celibashi tha se kërkesa e paraqitur nga zoti Alibeaj bazohet në ligjin për partitë politike dhe në regjistrimet e gjykatës së Tiranës, ku sipas ligjit partia përfaqësohet nga kryetari i saj, por nevojiteshin plotësime në dokumenta.

Ai theksoi se deklarata solemne duhet të nënshkruhen nga kryetari i partisë dhe jo nga drejtuesi i deleguar, duke saktësuar se “përfaqësimi mund të delegohet, por jo përgjegjësitë”.

Deklarata solemne është një dokument kryesor, i cili përmban angazhimet mbi zbatimin e ligjit, sipas tij, dhe ky duhet të nënshkruhet nga kryetari i partisë, në këtë rast nga zoti Lulzim Basha dhe jo nga i deleguari i tij, Alibeaj.

Zoti Celibashi tha se edhe autorizimi i përfaqësuesit të zotit Basha pranë KQZ nevojitet të saktësohet më tej.

Këto dy dokumente duhen saktësuar brenda 48 orëve, e deri atëherë kërkesa e zotit Alibeaj nuk cilësohet as e pranuar as e refuzuar, dhe plotësimi i tyre mbetet për t’u verifikuar në një mbledhje tjetër.

Në të njëjtën mënyrë u kthyen për plotësim dokumentacioni edhe kërkesat e dy partive të tjera për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Përfaqësuesit ligjorë përsëritën para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të njëjtat argumentime, që kanë shfaqur edhe në përballjet e tyre përpara gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit.

Apeli ktheu për rigjykim në shkallën e parë çështjen e përfaqësimit të Partisë Demokratike, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, që njihte ish kryeministrin Berisha si kryetar të kësaj partie.

Partia Demokratike është zhytur prej disa kohësh në një krizë përfaqësimi, qyshkur drejtuesi i saj Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar pasi ish kryeministrin Sali Berisha, sapo ky i fundit u përcaktua, së bashku me familjen, nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, si i përshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit domethënës dhe cënimit të demokracisë.

Zoti Basha deklaroi atëherë se Partia Demokratike nuk do të mbante kurrë në radhët dhe forumet e saj persona të shpallur non grata nga SHBA-të, aleate strategjike të saj dhe të Shqipërisë.

Konflikti në gjirin e PD-së kulmoi me një sulm masiv të dhunshëm një vit më parë të mbështetësve të ish kryeministrit Berisha ndaj selisë qendrore të partisë, i cili u frenua falë ndërhyrjes së policisë.

Zoti Basha ia ka deleguar funksionet drejtuese të partisë kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, ndërsa të dy palët kanë zhvilluar kongrese për të zotëruar përfaqësimin e partisë, dokumente të cilat tani janë ende në gjykatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button