Pa rampë për hyrje në menzën e konviktit “Stiv Naumov” Darko Stojanovski ishte i detyruar të hajë i vetëm në dhomë

Pasi dhjetë ditë më parë Meta.mk filmoi dhe e publikoi lokacionin, menza e studentëve në konviktin “Stiv Naumov” në mënyrë ekspresë u bë me rampë për hyrje, të cilën ky konvikt e siguroi me ndihmën e një donacioni nga një kompani, shkruan Meta.mk.

“Gjatë periudhës që bënte ftohtë dhe kishte reshje, nëpër shi prisja para menzës deri sa punonjësit të më japin ushqim e kthehesha prapë. Po të kishte rampë, do mund të futesha dhe të ha atje brenda në menzë”, tregon kështu studenti Darko Stojanovski nga Rzhaniçina për sfidat me të cilat përballet gjatë qëndrimit të tij në Konviktin e studentëve “Stiv Naumov” në lagjen e Autokomandës. Ai është student i vitit të dytë në Institutin e punës sociale në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) dhe këtë vit për herë të parë po qëndron në konvikt.

Stojanovski është përdorues i karrocës së invalidëve për shkak të gjendjes së tij të shkaktuar nga sëmundja Оsteogenesis imperfekta, ndërsa sfidë të vërtetë gjatë funksionimit të përditshëm i paraqet qasja deri te menza, e cila është praktikisht e pamundur.

Deri më sot pesë shkallët para derës ishin e vetmja rrugë që çonte deri të hyrja e menzës në “Stiv Naumov”. Mungesa e një rampe ndihmëse për hyrje e pengonte Stojanovskin që tre racionet e ditës t’i konsumojë në sallën ku hanë të gjithë studentët e tjerë.

Pasi dhjetë ditë më parë Meta.mk filmoi dhe e publikoi lokacionin, menza e studentëve në konviktin “Stiv Naumov” në mënyrë ekspresë u bë me rampë për hyrje, të cilën ky konvikt e siguroi me ndihmën e një donacioni nga një kompani.

Hyrja në menzën e konviktit “Stiv Naumov“ / Foto: Meta.mk (foto e bërë më 24 shkurt të vitit 2022)

“Këtu jam vendosur këtë vit dhe kam problem me menzën e studentëve ku studentët ushqehen. Për momentin nuk ka rampë, edhe pse jam drejtuar e kam kërkuar që të bëhet një e tillë në disa vende“, tha Stojanovski më 24 shkurt.

Në konviktin e studentëve ai po qëndron që nga muaji tetor i vitit të kaluar dhe pavarësisht faktit se në disa raste iu është drejtuar autoriteteve me kërkesë për vendosjen e një rampe për qasje, ndërtimi i saj filloi vetëm pak ditë më parë, pasi ekipi i Meta.mk kërkoi leje dhe filmoi lokacionin.

Mungesa e rampës për hyrje do të thotë se për një kohë të gjatë në menzën e studentëve nuk ka pasur qasje adekuate dhe të barabartë për të gjithë studentët. Pra, është e qartë se sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi këtu është bërë diskriminim.

“Diskriminim është çdo dallim, përjashtim, kufizim ose dhënie përparësie që bazohet në bazë diskriminuese, me një veprim ose mosveprim, që ka për qëllim ose rezultat parandalimin, kufizimin, njohjen, gëzimin ose ushtrimin e të drejtave dhe lirive të një personi ose grupi të caktuar në një bazë të barabarta me të tjerët. Kjo përfshin të gjitha format e diskriminimit, duke përfshirë pamundësimin e akomodimit adekuat dhe pamundësimin e aksesit dhe disponueshmërisë së infrastrukturës, mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në përkufizimin e diskriminimit në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Darko Stojanovski / Foto: Meta.mk

Për sfidën me të cilën përballet, Darko u është drejtuar të gjitha institucioneve kompetente – Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkup” (KShS Shkup), Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Qeverisë, Avokatit të Popullit, si dhe Trupit Koordinues Nacional për Zbatimin e të drejtave për personat me aftësi të kufizuara dhe Organit Monitorues për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Nga ana e Avokatit të Popullit mora vetëm dy e-maile deri tani, se është dërguar kërkesë deri të Konvikti Shtetëror i Studentëve dhe se presin përgjigje. Nga Qeveria në dhjetor mu paraqitën të më pyesin se a ka ndonjë ndryshim, u thashë se nuk ka. Me ofruan që të ma ndërrojnë konviktin studentor, të më vendosin në ndonjë konvikt tjetër, por u thashë se nuk më përshtatet sepse studioj në Fakultetin Filozofik dhe në këtë rast do të duhet të përdori transportin publik. Pastaj mu lajmëruan nga Konvikti Shtetëror i Studentëve të më thonë se do të rregullohet dhe prej atëherë ka kaluar shumë kohë”, na tregoi Stojanovski kur e regjistruam.

Në pamundësi për të hyrë në menzë, deri më tani ai ushqimin e hante në dhomën e tij në barakën e studentëve.
“Kam numra telefoni nga disa të punësuar në menzë dhe i kërkoj, u tregoj se po vij që të marr ushqim. Marr një tas nga dhoma, shkoj te hyrja zyrtare për të punësuarit, ato dalin, më vendosin ushqim në tas dhe kthehem në dhomë e ha këtu”, thotë Darko.

Problemi më i madh për të, siç tha ai, ka qenë në rastet kur jashtë ka bërë ftohtë dhe ka rënë shi, e atij i është dashur që në mes të shiut të prisë para derës së pasme të menzës derisa punonjësit të dilnin nga menza për ta marrë tasin e tij e pastaj të ktheheshin me ushqimin.

Hyrja e pasme (zyrtare) ku Darko ka pritur të marrë ushqimin / Foto: Meta.mk

Stojanovski se ka kërkuar ndërtim sa më të shpejtë të rampës jo vetëm për atë, por edhe për studentët e ardhshëm – përdorues të karrocave, që të mos i kenë pengesat e njëjta me të cilat ballafaqohet ai dhe të mund ta shfrytëzojnë sallën e ngrënies si edhe çdo student tjetër i vendosur në konvikt.

“Një rampë është njëjtë sikur të ndërtohet një shkallë për një njeri “të zakonshëm” që të mund të hipë. Nëse nuk ka shkallë, njeriu nuk do të mund të hipë. Edhe rampa është një lloj shkalle që duhet të bëhet që njerëzit të mund të arrijnë diku”, thotë Stojanovski.

Nga ana e Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkup” për Meta.mk konfirmuan se ndërtimi i rampës për qasje është në fazën finale. Ka mbetur të vendoset vetëm edhe gardhi, që ajo të jetë e sigurt për përdorim.

“Pas sugjerimit nga ana e studentit dhe Avokatit të Popullit, edhe pse nuk kemi mjete për një punë të tillë, arritëm që përmes një kompanie, si donacion prej tyre, të ndërtojmë një rampë për hyrje. Ndërtimi është prej betoni, sipas standardeve të unifikuara për qasje, ndërsa sot do të vendoset edhe gardhi dhe rampa do të vihet në përdorim”, thotë Viktor Velevski, kryetar i KShS “Shkup”.

Velevski shton se të gjithë studentët duhet të kenë qasje të barabartë në ushqim dhe në çdo aspekt të jetës studentore. Ai tha se të gjitha konviktet studentore nën kompetenca të KShS-së kanë një rampë për qasje për personat me aftësi të kufizuara.

“Më duhet të përmend se objekti 3 i konviktit “Stiv Naumov” ka qasje vetëm deri në katin përdhes të objektit dhe për faktin se është objekt i ndërtuar në vitet 90-të nuk është i pajisur me ashensor që do të mundësonte qasje për personat me aftësi të kufizuara fizike në katet e sipërme. Me projektin për renovimin e objekteve 1, 2 dhe 3 në konviktin “Stiv Naumov” është paraparë që ky problem të tejkalohet me sigurimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara fizike në të gjitha katet e objekteve, gjegjësisht të mund të jenë të barabartë gjatë përzgjedhjes dhe akomodimit në dhomat dhe katet e sipërme”, thotë Velevski.

Përndryshe, gjendja Osteogenesis imperfecta, e njohur edhe si sëmundja e kockave të brishta, është një çrregullim gjenetik i indeve lidhëse që karakterizohet nga pamundësia për të sintetizuar apo procesuar kolagjenin e tipit 1, pra me një tendencë të shtuar për thyerje dhe zvogëlim të densitetit të kockave.

Stojanovski thotë se si një nga përdoruesit më aktivë të karrocës, është i pavarur dhe nuk ka asnjë problem që të lëvizë nëpër oborrin e konviktit studentor dhe në dhomën e barakës 7 në të cilën qëndron, e që është e adaptuar sipas nevojave të tij. Na tregoi se si funksionon në të për çdo ditë, dhe se si shkon deri në Fakultet për të ndjekur leksionet, i cili nga konvikti i studentëve “Stiv Naumov” është rreth dy kilometra larg. Fundjavat i kalon në shtëpinë e tij n Rzhançinë bashkë me familjen e tij, ndërsa gjithashtu bën edhe not.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button