Prokuroria për vrasjen mafioze në Çarshi të Shkupit: Kemi siguruar gjurmë dhe pamje nga kamerat e lokalit dhe qytetit

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike Shkup sot ka dhënë disa udhëzime në drejtim të pastrimit të incidentit të mbrëmshëm të armatosur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në të cilin dy persona humbën jetën, ndërkaq njëri është lënduar, njofton Portalb.mk.

Pas urdhrit të prokurorit publik do të kryhet autopsia e trupave të të ndjerëve. Të gjurmët e siguruara dhe të marra dhe provat materiale nga vendi i ngjarjes në objektin hotelerik në të cilin ka ndodhur ngjarja janë dorëzuar për ekspertizë. Janë siguruar incizime nga kamerat e sigurisë të objektit, por edhe të sistemit “Qytet i sigurt”, të cilat detajisht do të kontrollohen”, thonë nga Prokuroria.

Ata shtojnë se prokurori ka dhënë urdhër që të kryhen biseda me personin e lënduar, me disa persona tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm në objektin hotelerik gjatë kohës së ngjarjes, por edhe me persona tjerë që mund të kenë njohuri për incidentin.

“Gjatë mbrëmjes, është siguruar edhe një lokacion drejt Orizares së Epërme Shkup, ku është gjetur një automjet i djegur i tipit “Audi”.

“Pas udhëzimeve të prokurorit publik, sot ekipi i kontrollit të MPB-së kryejnë kontroll të detajuar edhe në atë lokacion, ndërkaq janë mbledhur edhe gjurmë dhe prova të cilave gjithashtu do t’u bëhet ekspertizë”, shtojnë nga Prokuroria.

Ata shtojnë se organet hetuese vazhdojnë të ndërmarrin veprime intensive për kontroll të të gjitha rrethanave dhe zbulim të kryerësve.

Çfarë tha policia?

Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni, këta janë dy të vrarët gjatë incidentit të mbrëmshëm në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja ka ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

“Më 6 mars në ora 20.11 në SPB Shkup është paraqitur se në një objekt hotelierik në rrugës “Samoilova” në Shkup, pesë persona të veshura me të zeza dhe me maska, me armë zjarri kanë gjuajtur ndaj J.K. (37) dhe E.I. (28), të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ndaj A.T. (34) nga Shkupi i cili ka marrë lëndime dhe është transferuar në Spitalin e Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” për marrjen e ndihmës mjekësore”, thonë nga MPB.

Ata shtojnë se 20 minuta pas paraqitjes së rastit në MPB është gjetur një automjet Audi A6 i djegur, e që në media është përfolur se ka qenë i vrasësve.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Është njoftuar prokurori përkatës, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas urdhërit të tij trupat janë dorëzuar për autopsi. Rreth orës 20.30 është djegur një automjet “Audi A6” në rrugën drejt Orizares së Epërme. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik, janë kryer biseda zyrtare me më shumë persona dhe po ndërmerren masa përkatëse dhe aktivitete për pastrimin e vrasjes”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga ana tjetër nga Prokuroria njoftojnë se “janë fiksuar gjurmë nga vendi i ngjarjes, ndërkaq prokurori i ka dhënë të gjitha udhëzimet me qëllim që të sigurohen provat, të cilat do të ndihmojnë për pastrimin e ngjarjes dhe zbulimin e identitetit të kryerësve”.

Çfarë flitet për rastin?

Sipas TV Telma në media, vrasësit me “Audi6” kanë hyrë në lokal dhe kanë bërtitur: Bastisje, policia. Pas çka janë ngjitur në katin e dytë të lokalit, në një zyrë të mbikëqyrjes dhe aty i kanë gjetur Krivanjevën dhe Isenin dhe i kanë gjuajtur me armë.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, incidentin e mbrëmshëm e lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të mbrëmshmin. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button