Tetovë, u mbajt “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (Video)

Në hapësirat e Qendrës për Kulturë në Tetovë u organizua Akademia Përkujtimore e Epopesë së UÇK-së, aktivitet i organizuar nga Komuna e Tetovës, ku mysafirë ishte kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, përfaqësuesi i familjes Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, Lulzim Jashari, profesori i historisë, Hakif Bajrami, profesori i filozofisë, Elvis Hoxha dhe persinalitete tjera, raporton Portalb.mk.

Fjalimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës para publikut të Tetovës mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

Në ngjarjen e sotme i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Kryetari i Çairit, Visar Ganiu, Kryetari i Zhelinës, Blerim Sejdiu si dhe personalitete të tjera.

Të gjithë manifestimin mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.

Paraprakisht, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në hapësirat e komunës ka pritur kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufcën, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të Epopesë së UÇK-së. Pas takimit, të dy politikanët kanë pasur konferencë për media.

“Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet që e njohu Pavarësinë e Republikës sonë. Kjo na tregon që çlirimi i Kosovës, që e filloi Familja Jashari, kulmoi dhe u kurorëzua me lirinë e plotë të popullit të Kosovës dhe shpalljen e Pavarësisë nga popullit tonë. E pasojat pozitive mund t’i ndiejnë të gjithë edhe në rajonin e Ballkanit, sepse Pavarësia e Kosovës e stabilizoi Evropën, e stabilizoi Ballkanin, dhe ja tregoi vendin e vërtet Serbisë”, deklaroi Konjufca, duke krahasuar rajonin e viteve të 90-ta dhe rajonin sot.

Ai theksoi që lufta e Familjes Jashari ishte themeli i Pavarësisë së Kosovës, pas çlirimit nga okupatori serb. Konjufca gjithashtu theksoi edhe kontributin e ndërkombëtarëve në çlirimin e Kosovës.

“Sot kemi nderin dhe jemi të respektuar të kemi prezent Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, përfaqësuesit nga Familja Jashari, djalin e komandantit Adem Jashari, Lulzim Jasharin, së bashku me mysafir dhe dashamir për nder të organizimit të Epopesë së UÇK-së, që organizohet për herë të parë nga Komuna e Tetovës. Me këtë, nuk vlerësojmë se nderojmë as Familjen Jashari e as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por fillimisht nderojmë vetveten”, deklaroi Kasami.

Sonte (6 mars) me fillim në ora 19:00 në Qendrën për Kulturë në Tetovë, për nder të luftës së Kosovës dhe sakrificës heroike të familjes Jashari, u mbajt Akademia përkujtimore  “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nga Komuna e Tetovës

“Tetova përkujton 25 vjetorin e sakrificës heroike të familjes Jashari! Jasharajt janë vetë historia dhe madhështia e kombit shqiptar”, informoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këtë 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25 vjetori i rënies heroike të komandantit Adem Jasharit, familjes së tij në Prekaz të Drenicës.

Mesazhe me rastin e këtij 25 vjetori janë dërguar nga trojet shqiptare.

Ndryshe, që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.  Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button