Kovaçevski: Në një të ardhme të afërt, është e mundur ngrirja e çmimeve edhe të produkteve të tjera

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi se në një të ardhme të afërt qeveria mund të ngrijë edhe çmimet e produkteve të tjera bazë, transeton Portalb.mk.

“Në Ministrinë e Ekonomisë bëhen analiza në lidhje me çmimet e produkteve të tjera ushqimore bazë. Kështu që, në një të ardhme të afërt është e mundur ngrirja e çmimeve të produkteve të tjera bazë që konsiderohen si produkte ushqimore bazë. Por nuk do të doja të hyja në detaje për këtë derisa të bëhen llogaritjet. Kur të merren dhe miratohen vendimet e duhura, menjëherë do të njoftoheni”, tha Kovaçevski.

Qeveria tashmë ka marrë vendim që prodhuesit dhe tregtarët e bukës obligohen të prodhojnë dhe shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë prej 450 gramësh me çmim të ngrirë.

Me vendimin përcaktohet detyrimi i tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për kryerjen e prodhimit të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose diku tjetër me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, që të marrin dhe/ose shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë të prerë në feta ose të plota.

Në nenin e dytë të vendimit, përcaktohet se duhet të prodhohet të paktën 80 për qind e bukës, e cila duhet të shitet me çmim të ngrirë.

“Tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar për prodhim, të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose tregtarëve të tjerë me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, kanë detyrimin të prodhojnë dhe të nxjerrin në treg bukën në sasi prej të paktën 80 për qind të prodhimit të kësaj buke në dhjetor 2022”, thuhet në tekstin e vendimit.

Ky vendim i qeverisë vjen pasi raftet e bukës në dyqane mbetën bosh për të dytën ditë pasi anëtarët e Grupit të Industrisë së Mullirit dhe furrtarisë nuk furnizonin me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, duke thënë se ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut.

Kryetari i Grupit, Goran Malishiq, tha dje se humbjet e kompanive nga një vendim i tillë janë të mëdha dhe se duhet gjetur një bukë me peshë të caktuar, e cila do të jetë kategori sociale dhe do të shitet pa feta dhe në letër. .

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur dje gjobat e para për mosbindje ndaj vendimit.

Në 234 kontrolle të kryera nga inspektorët, janë konstatuar parregullsi në tri kompani nga Shkupi dhe një nga Kumanova që shisnin bukë me çmim më të lartë se 33 denarë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë ndaj këtyre kompanive.

“Gjatë kontrolleve janë bërë katër procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba mbi 300.000 denarë. Gjobat janë shumë të larta, janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë, madje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik. Janë konstatuar tri parregullsi në Shkup dhe një parregullsi në Kumanovë, gjegjësisht situatë ku buka nuk ka qenë me çmimin e ngrirë, përkatësisht ka qenë mbi 33 denarë”, thotë në një deklaratë për media Aleksandra Koteli nga IShT.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button