Ligji për banim në Maqedoninë e Veriut pritet deri në muajin maj të futet në procedurë për miratim

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Komisionin Rregullator për Banim po punon në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Banim, raporton MIA. Pritjet janë se deri në maj të këtij viti Ligji do të hyjë në procedurë qeveritare, ndërsa pastaj të miratohet nga ana e Kuvendit.

“Kur u përballëm me problemin se disa gjëra në Ligjin për Banim nuk ishin rregulluar, ne iu qasëm ndryshimeve të reja të Ligjit i cili tashmë është duke u përgatitur dhe me sipas gjitha gjasave shpresoj që në maj të jetë në procedurë qeveritare dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi”, tha zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi në deklaratën për mediat para tryezës së rrumbullakët kushtuar Ligjit për Banim.

Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për Banim, siç sqaroi kryetari i Komisionit Rregullator për Banim, Zoran Maxhovski, janë në drejtim të përsosjes dhe përshtatjes së tij, si dhe propozohen dispozita të reja me të cilat do të rregullohen çështjet të cilat nuk janë plotësisht të rregulluara me Ligjin ekzistues.

“Komisioni në bashkëpunim me grupin e menaxherëve të licencuar pranë odës ekonomike, sektorit joqeveritar dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka filluar nismë, ndërsa ministri ka formuar një grup pune të përbërë nga disa palë të interesuara që kanë punuar në mënyrë aktive gjatë vitit 2022 dhe përgatitën draft tekstin për ndryshime dhe plotësime të ligjit”, tha Maxhovski.

Duke folur për zbatimin e deritanishëm të Ligjit për Banim, Maxhovski theksoi se janë vërejtur një numër i madh i rezultateve pozitive, duke theksuar se është rritur niveli i vetëdijes së popullatës për banimin kolektiv, si dhe cilësia e jetesës së përbashkët.

Përndryshe ai potencoi se rolin kryesor në zbatimin e Ligjit për Banim e kanë komunat.

“Kryetarët e komunave kanë obligim të emërojnë inspektorë komunalë për banim, por një numër i madh i komunave ende nuk kanë emëruar, ndërsa në Shkup ka vetëm gjashtë inspektorë edhe atë në Qendër, Karposh, Aerodrom, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Çair”, deklaroi Maxhovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button