Mendimtari i ndershëm dhe drejtësia e korruptuar

Për dënimin e Sokratit mësojmë nga Platoni. Filozofi u akuzua për pandershmëri dhe blasfemi. Sokrati nuk ishte ateisti. Nëse njeriu beson në veprat hyjnore, patjetër që i beson Zotit, tha ai.

Studiuesit hamendësuan për shkaqet e dënimit të filozofit. Disa thanë se ky ishte dënim politik dhe fetar. Të tjerë thanë se Sokrati u dënua pasi shihej si rrezik për traditën dhe demokracinë.

Sokrati u padit nga Meleti – në emër të poetëve; Aniti – në emër të artistëve e politikanëve dhe Lioni – në emër të oratorëve.

Shekuj më vonë ai u kritikua edhe nga Fridrih Niçe, sepse e mbiçmoi arsyen dhe ia uli vlerën mitit. Niçe e quajti dështim edhe dënimin e filozofit, sepse idetë e martirit ndikojnë më shumë në shoqëri.

Sokrati, që i dha përparësi dijes dhe e goditi traditën, s’i pëlqeu veprat e Eskilit dhe Sofokliut, por i shihte shfaqjet e Euripidit, i cili (këtë e thotë Niçe) e dëboi nga skena e tragjedisë Dionisin dhe Apolonin dhe aty e solli “demonin Sokrat”

Sokrati, që iu përkushtua filozofisë, si gjurmim i vetvetes dhe i të tjerëve, kërkoi shtet të drejtë dhe model të ri jetësor, kulturor dhe shtetëror. I bindur në idetë e tij, ai s’bëri kompromis me paditësit dhe shpifësit që hiqeshin si të ndershëm dhe të ditur, por nuk ishin as të ndershëm e as të ditur. Filozofi e dinte se do të kishte shpifës kundër atyre që e mbronin një ide, që e donin diturinë dhe nuk josheshin nga privilegjet. Kush e thotë të vërtetën goditet me shigjeta të shpifjes nga ata që duken siç nuk janë dhe nderohen siç nuk e meritojnë.

“Mbi mua rëndon urrejtja e shumë njerëzve që mund të më shkatërrojë. Nëse dënohem kjo s’vjen as nga Meleti, as nga Aniti, por vetëm nga zilitë dhe shpifjet e shumta. Janë pikërisht këta që shkatërrojnë shumë njerëz të ndershëm dhe do të vazhdojnë të dëmtojnë shumë të tjerë, e me siguri, unë nuk do të jem i fundit”, tha Sokrati.

Sipas tij, zakonisht, dënohen të pazotët për poshtërsira, sikurse Akili, i cili e dinte se do të vdiste pas hakmarrjes ndaj Hektorit, por s’deshi të rronte i poshtëruar dhe i përqeshur “pranë anijeve të kalbura që kot rëndojnë mbi tokë”

Të frikësohesh nga vdekja, sipas Sokratit, d.t.th. të besosh se je i ditur pa qenë i tillë dhe të pretendosh për diçka që s’e di.

“Kur zgjedh rrugën tënde është e domosdoshme të qëndrosh i patundur, t’u bësh ballë rreziqeve dhe të mos kesh aspak frikë nga turpërimi dhe vdekja”, tha ai.

Sokrati mendonte se shoqëria duhej t’i bindej njeriut të zotë dhe t’i qortonte të pavirtytshmit. Ai ligjëroi për ndershmërinë dhe të vërtetën në një shoqëri të korruptuar. Umberto Eko, në librin Për letërsinë, thotë se e vërteta është e vetmja forcë që e vë në lëvizje intelektin filozofik.

Sokrati ishte i bindur se keqbërësit s’mund ta dëmtonin njeriun e mirë, por i dëmtonin ata që ishin indiferentë ndaj së keqes.

“Nuk e mbroj veten, por u mbroj ju, o qytetarë, sepse duke u dënuar unë ju bëheni fajtorë ndaj një dhurate hyjnore […] Ju nxis, ju jap zemër, duke ju qortuar një për një dhe për çdo ditë […] Një tjetër si unë, o athinas, nuk do ta keni të lehtë ta gjeni […] Do vazhdoni të jetoni gjithë jetën të përgjumur, nëse Perëndia nuk do të ketë mëshirë për ju, për t’ju dërguar dikë tjetër”.

Sokrati, pra, besonte se ishte “dhuratë hyjnore”, që perënditë e kishin dërguar për të mirën e atdheut dhe duhej të pranohej ashtu siç ishte. “Dhurata hyjnore”, që fliste pasi e dëgjonte “daimonionin” – zërin e brendshëm, ndërgjegjen e tij – ishte i guximshëm dhe i pa korruptuar.

“Nuk jam prej atyre që flasin vetëm kur paguhen, përndryshe qepin gojën”.

Sokrati s’i dha rëndësi trupit, kamjes dhe interesit personal, por përsosmërisë shpirtërore.

“Pasuria nuk e lind virtytin, por është virtyti nga i cili lind çdo e mirë e begati për individin dhe shtetin”.

Akuzuesit, nëpërmjet sulmeve, donin ta përjashtonin filozofin nga pjesëmarrja në jetën qytetare. Ata nuk ishin kundër njeriut Sokrat, por ishin kundër filozofit Sokrat, sepse ai e thoshte të vërtetën.

“Askush nuk mund të shpëtojë i gjallë nëse vendos t’ju kundërshtojë ndershmërisht juve ose popullin dhe të lejojë në atdheun e tij të sundojë e padrejta dhe e paligjshmja”.

Sokrati kërkoi nga shoqëria të ishte e ashpër kundër lakenjve dhe hipokritëve e jo ndaj njeriut që mbante qëndrim burrëror. I akuzoi edhe gjykatësit, sepse shpërndanin ndere në vend të drejtësisë.

“Gjykatësi nuk shpërndan ndere, ai e përcakton atë që është e drejtë. Ai është betuar jo për të ndihmuar këdo, sipas dëshirës, po për të gjykuar drejtë, sipas ligjit. Nuk duhet të mësohemi me shpërblime, dhe as duhet ta pranojmë një gjë të tillë, sepse për të gjithë ne kjo do të qe një fyerje ndaj Perëndisë”.

Sokrati s’e pranoi burgun, gjobën ose mërgimin që t’i ikte dënimit me vdekje. Ai nuk hoqi dorë nga filozofia si gjurmim i virtytit. Mendimtari pa asnjë kacidhe ishte i bindur se dënohej jo për mungesë argumentesh, por pse i mungonte pafytyrësia dhe paturpësia.

“T’i bishtnosh vdekjes nuk është diçka e vështirë, e vështirë është t’u ikësh prapësive, që janë më të shpejta se vdekja”.

Sokrati nuk e tradhtoi ndërgjegjen e tij. Nuk iu frikësua vdekjes për të cilën kishte mendim të dyzuar. Vdekja mund të ishte “jetë e pafund – një natë e vetme e tepër e gjatë” dhe “çlirim nga andrallat e botës”. Por, bota e përtejme mund të ishte çlirim prej shtiracakëve që hiqeshin si të drejtë. Në botën e andejshme duhej të ishin vetëm njerëzit e drejtë. Prandaj, në të gjitha rastet, jeta pas vdekjes ishte e mirë.

“Cili prej jush nuk do të paguante gjithë çka kishte vetëm të takohej me Orfeun e Muzeun, me Hesiodin apo Homerin?”.

Sokrati s’i mbajti inat akuzuesit. Nuk u shqetësua për fatin personal. Nuk iu frikësua dënimit. Ai besonte se veprat e mira s’mund të dënoheshin dhe të harroheshin.

“Edhe ju, o gjykatës, duhet patjetër të besoni tek vdekja dhe të mendoni për një gjë të vetme: se njeriun e mirë nuk do ta prekë kurrë e keqja, as gjatë jetës dhe as pas vdekjes, se perënditë nuk i harrojnë asnjëherë veprat e tij”.

Sokrati e piu kupën e helmit pa mundur që t’i mbronte akuzuesit dhe dënuesit nga vetja e tyre. Shumë shekuj pas tij Krishti, sipas Ungjillit të Lukës, tha: “Bijë të Jerusalemit, mos qani për mua, po qani për veten tuaj edhe për fëmijën tuaj”.

Njerëzit që i shërbejnë padrejtësisë, i shërbejnë të keqes. Ata punojnë kundër vetvetes dhe fëmijëve të tyre.

Bashkë me Sokratin përmenden edhe akuzuesit e tij. I pari përmendet si mendimtar i ndershëm. Të dytët u shfaqen si të ndershëm për ta maskuar pandershmërinë dhe kujtohen vetëm si shkaktarë për vdekjen e Sokratit.

[Librat për referencë: Platoni, Apologjia e Sokratit (përktheu: Lazër Radi, Jozef), Tiranë, 2020; F. Nietzsche, Lindja e tragjedisë (përktheu: Jorgji Doksani), Uegen, Tiranë, 2001; Umberto Eko, Për letërsinë (përktheu: Donika Omari), Dituria, Tiranë, 2007.]

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button