Do të rritet vlera e parave të kthyera përmes aplikacionit “TVSH-ja Ime”, ndryshimet akoma presin në Kuvend

Drejtoria të Ardhurave Publike, përmes Ministrisë së Financave, ka dorëzuar ndryshimet në masën “TVSH-ja Ime” për skanimin e llogarive fiskale, të cilat parashikojnë rritje të shumës që u jepet qytetarëve për rikthimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tani janë në procedurë parlamentare, konfirmoi dje drejtoresha e Drejtorisë së të hyrave publike (DAP), Sanja Llukarevska, transmeton Portalb.mk.

“Me gjasë propozimi duhet të vijë në seancë të rregullt sepse tani po diskutohet për rindërtimin e Qeverisë. Kur ky proces të përfundojë, duhet të jetë në rendin e ditës dhe të shohë dritën e ditës. Sapo të miratohet ai amendament, ne do ta përshtatim sistemin dhe në bazë të tij do t’iu kthejmë më shumë qytetarëve”, tha Llukarevska në pyetjet e gazetarëve në konferencën e djeshme për media.

Nëpërmjet aplikacionit “TVSh-ja Ime”, qytetarët kanë mundësinë që duke skanuar llogaritë fiskale, të marrin mbrapsht një pjesë të TVSH-së që kanë paguar për blerjen e produkteve. Deri më tani ata mund të marrin rimbursim të TVSH-së çdo tre muaj në shumën maksimale prej 1800 denarë, ndërsa me ndryshimet do të mund të marrin deri në 2100 denarë çdo tre muaj.

Lukarevska saktëson se Ministria e Financave tashmë ka dorëzuar në Odat Ekonomike draft versionin e listës së produkteve luksoze për të cilat duhet të rritet taksa mbi vlerën e shtuar.

“Në periudhën në vijim, Ministria e Financave do të duhet të publikojë listën në faqen e internetit. Ata si bartës të këtyre ndryshimeve kanë për obligim që ta publikojnë listën në të cilën po punon edhe DAP”, theksoi Llukarevska.

Këto ndryshime priten tashmë tre muaj, përkatësisht që në seancën 115-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të mbajtur në fund të dhjetorit të vitit 2022, kur edhe u vendos që të rritet vlera e mjeteve të kthyera te qytetarët përmes aplikacionit “TVSH-ja Ime”.

Masa e kthimi të 15% nga TVSH-ja e përllogaritur zbatohet që nga 1 korriku i vitit 2019, dhe siç u tha atëherë është në dobi edhe të qytetarëve edhe të shtetit. “Kjo masë gjithashtu do të ndihmojë në uljen e ekonomisë gri”, thanë atëkohë nga DAP-i.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button