Është keqpërdorur profili privat i Facebook-ut të kryetares së KShPK-së, Ivanovska
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pasditen e djeshme përmes një komunikate njoftoi se është keqpërdorur profili privat në Facebook i kryetares së Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, transmeton Portalb.mk.
Keqpërdorimi, siç thuhet në njoftim, është bërë nga “persona të caktuar” të cilët me fotomontazh të fotografive familjare të Ivanovskës tentojnë të krijojnë imazh të pavërtetë në opinion.
Ivanovska do të inicojë procedurë private kundër personave që qëndrojnë pas keqpërdorimit.
“Në interes të së vërtetës, e informojmë publikun se është keqpërdorur profili privat në rrjetin social Facebook të kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska. Persona të caktuar, për qëllime të njohura për ta, keqpërdorin fotografitë familjare të Ivanovskës dhe duke përdorur fotomontazh mundohen të krijojnë një imazh të pavërtetë në publik. Ivanovska kundër tyre do të iniciojë lëndë private, duke pasur parasysh se është profil privat”, thuhet në njoftimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Nuk thuhet nëse Ivanovska i njeh personat që qëndrojnë pas keqpërdorimeve, si dhe se cilat janë qëllimet që duan të arrijnë.
Megjithatë, nga nga kumtesa ezulton se bëhet fjalë për një nga rastet që ka hapur Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe i cili, duke marrë parasysh arsyen e reagimit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, nuk iu pëlqen të prekurve.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me kompetencat e tij, për të gjitha rastet vepron me të njëjtën qasje. Sipas natyrës së veprimit, Komisioni trajton rastet në fushën e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, fusha që kanë të bëjnë me funksione të larta publike. Kjo është shpesh arsyeja e ndërmarrjes së veprimeve publike për të defokusuar publikun nga lëndë apo tema të caktuara të hapura, për të shtrembëruar pamjen reale dhe për të dëmtuar integritetin dhe besueshmërinë e anëtarëve të caktuar të Komisionit. Për atë jemi dëshmitarë edhe në këtë moment”, thuhet në pjesën e parë të njoftimit nga KShPK.
Nga aty, në fund thonë se do të vazhdojnë të punojnë sipas përgjegjësive të tyre dhe të veprojnë sipas të njëjtit parim ndaj të gjitha lëndëve.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve relevante të shoqërisë që të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, sepse vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë rezultate”, thotë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Kujtojmë se Antikorrupsioni së fundmi ka hapur lëndë për dy zyrtar shtetëror nga radhët e BDI-së, Artan Grubit dhe Visar Ganiut.