“NJERI JEM”

Apo letrarçe “njeriu im”. Një togfjalësh, një moto, slogan, mantër e ditëve tona që tregon dhe ilustron konstruktin mental tonin, të shqiptarit, hajde të themi të ballkanasit. “Pasaportë” kjo me të cilën kalohet nga “shteti i natyrshmërisë”, normalitetit, meritokracisë në kënetën e “shtetit të korrupsionit” të cilin e kemi themeluar të gjithë ne. Ky është një entitet i padukshëm, por me flamur e stemë që të kthjellëtit e shohin.

Me këto fjalë në përditshmërinë tonë mundohemi që “të ndihmojmë” ta paaftit, ordinerët, mediokrët, jocilësorët, jomeritorët, dallkaukët që duhet t’u jepet padrejtësisht një pjesë e madhe e kapitalit social që është i të gjithë neve, ku ka hise secili nga ne. Ky është mindseti i klanizimit, i kastizmit vendor që mbijeton edhe në mileniumin e tretë. Arkaizma që i mbajmë gjallë ne, që i kultivojmë duke u bërë pjesë e tyre, herë pak e herë më shumë.

Sipas kësaj “kulture minore” kur dikush të thotë në telefon ose ballë për ballë “me krenari” se do vijë njeriu i tij (“Kam një njeri timin…, do vijë… ka aplikuar, e di ti”), ti duhet të dorëzohesh dhe të mos pyesësh më tutje, të mos vësh nën vatër kërkesën e x-y-së ngase atij i duhet që kyfarë “njeriu” të arrijë pikën apo destinacionin e dëshiruar. Pra, të thotë: mbylli sytë, mos mendo, mos logjiko, lëri mënjanë të gjitha kriteret e mendjes së shëndoshë dhe vepro si një i verbër, si një makinë, si një automat, si një robot që merr urdhra. Ai është urdhërdhënësi ju aminxhiu. Ai është i fuqishmi ju hiçi.

Shqiptari mendon se me këto fjalë të ka zënë pisk, në një gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, në vështirësi të madhe, të ka zënë ngushtë dhe s’ke nga t’ia mbash, përndryshe raportet e tua me atë vihen në rrezik. Dëshiron të të thotë: “Nëse nuk ma kryen këtë punë, s’të flas, mbaron miqësia jonë”, s’të kam shok, kushëri, bashkëfshatar, bashkëluftëtar, bashkëpartiak, kolegë pune e të ngjashme.

Sipas këtij profili të këtij “kapedani”, që nga ai moment që ti s’ia realizon interesin e dikujt që është i lidhur me interesin e tij, lartmadhëria e tij kthen kokën mënjanë, të fshin nga lista e afërsisë, s’të pranon në audiencën e  tij të kafesë dhe të boshmuhabetit, të ekskomunikon nga fisi dhe pret ditën kur do të të hakmerret. Mosmiratimin e irracionalitetit të vet e quan tradhti, a në fakt fare s’çan kokë për tradhtinë që i bën “njeriut të vet”, mjedisit, kombit, kauzës ngase thotë që një të pavlerë ta kurorëzojmë në vlerë, thënë më saktë, në “vlerë të pavlerë”.

Ai detyron tjetrin që të shkelë parimet, normat, kodin, moralin, etikën, fenë, të bëjë padrejtësi, të barazojë gjërat e pabarazueshme, të bëjë dhe ta afirmojë krimin. Po, krimin. Ai sikur të thotë, “mirë be, për një çast, vetëm për mua, lëri mënjanë kriteret dhe: baltën barazoje me mjaltin, hekurin me arin, analfabetin me shkollarin, të paditurin me të diturin, para-kallfën me mjeshtrin pesëdekadësh…” Jo barazoje, po avantazhoji të parat karshi të dytave, ndonëse janë të pakrahasueshme.

“Njerit tem” duhet t’i  japësh produkte kur s’ka, t’ia zbresësh çmimet ndonëse është zengjin (e të varfrit, s’kemi ç’i bëjmë, s’ka njeri të vetin ai), ta punësosh në ministri ndonëse është për mistri, t’i vësh klimë vetëm zyrës së tij se bën vapë verës, t’i falësh tokë shtetërore, t’i falësh “notë t’mirë” në ditar a indeks edhe nëse është dibidus, t’i japësh bursë që s’e meriton, t’i japësh traktor donacion për tokë që s’e punon… Krejt kjo ngase është “njeri jem” ose “njeri i njerit tem”.

Ky është ai që rrah gjoks për fjalën, besën e besnikërinë, atdheun, patriot që s’ke me të. Madje edhe besimtar tregohet. Duhet të pozicionohet lart, të ketë pikë shumë, të marrë këtë a atë post, sikur pozitat janë bahçe e tij. Ngase është “njeriu i (a)tij”. Edhe atë gojën plot. Nëse s’shndërrohesh në “realizues” synimeve të tij, të sulmon  me aq bindje budallaqe sa që mendon se ti ke diçka personale me të. Në fakt s’ke asgjë, as të ka bërë e as i ke bërë gjë. Vetëm dëshiron që t’i vësh punët në dyzen, të vësh rend, t’i thuash “stop aspiratave të sëmura”, patologjive të socializuara që krijojnë shpresëthyerje kolektive, që po na i zbrazin bankat shkollore, lagjet, fshatrat e qytetet.

Me sloganin e “njeriut tem”  ne i mbushëm institucionet me shumë dyshtarë e treshtarë, madje edhe me ngelafçë, që s’i bëjnë dobi as të tjerëve as vetes, krijuam një atmosferë të ankthshme.  Ngase “këta njerëzit tanë” s’mund ta mbajnë barrën që u është besuar. Fitojnë karrike, ndoshta edhe jakë të bardha, bëjnë para, realizojnë ca turizëm dhe libido dëshira dhe pikë. Humben e shkojnë duke na nënpërfaqësuar dhe turpëruar. Sa shumë kishim pasur njerëz tanët. Po ata jashtë tyre të kujt janë thua? Në një grupim prej 50 vetave, një është “njeri jem”, të tjerët të njerkës, ë?

Tani kush i ka fajet ky që ta adreson njerin e vet apo i adresuari, në fakt i objektivizuari që nxirret nga pozita e subjektit, që s’është i lirë, ngase liria kërkon subjektivitetin dhe qëndrimin në këmbët vetjake. S’di çfarë ndjesie  mund të ketë njeriu që fatin e vet ia beson dikujt tjetër, që s’çan përpara me gjoksin e vet. Ky njeri prej momentit kur merr të pamerituarën në saje të “individit 3” është një hiç, një borxhli që ka borxh të cilin duhet ta lajë sa më parë. Dhe shpesh, e lan si s’bën. “Duke e kthyer të mirën me të mirë”. Duke marrë prej të gjithëve dhe duke ia dhënë borxhdhënësit nga “arka kolektive”.

Ky është siç do të ishte shprehur Edison Ypi, Mylandi shqiptar, “një vend banorët e të cilit mburren me mistorinë që nuk e kanë, me lavdinë që nuk e meritojnë, me trimërinë që nuk e kanë.” Aty ku njeriu i “njerit tem” bën ligjin, dhe poltronizmin e bën mas-kulturë. Aty ku s’ka drejtësi s’mund të ketë as mirëqenie – thotë Posneri. Përderisa nuk shpëtojmë nga ky sens tribalizmi, fisnorie s’ka as bereqet e as ardhmëri ndër ne. Edhe do nxehemi edhe do ftohemi, do besatohemi, do krijojmë aleanca e alternativa dhe s’do bëjmë hap para.

Iu thafshin duart atij që ma avancon “njerin tem” që s’meriton diçka. Qoftë i mallkuar sa të ketë jetë e botë! Për mua të gjithë njerëzit janë të mitë, më të mirët janë më të mitë. Përndryshe vetëokupohemi, s’ka nevojë të na pushtojë apo të na okupojë dikush. S’ka më keq se sa ta ngulfasësh veten. Kur s’punon shëndetshëm ashensori social, e çon atje ku s’duhet të humburin e përhumbur që humb edhe shumë të tjerë, masovizohet atmosferë e ankthshme dhe shkojmë duke u tkurrur deri në zhbërje. Stop my-man-izmit, ndal përdorimit pavend të përemrave vetor “im”, “jem”. Drejtësia distributive, është ajo që na duhet!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button