Berisha paralajmëroi Ramën për 3 Marsin

Teksa jashtë dyerve të Kuvendit opozita protestonte, një deklaratë e Taulant Ballës lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në 3 Mars për të ardhmen e Partisë Demokratike ndezi më shumë tonet e Sali Berishës përpara qytetarëve, raporton Klan.

“Jam i sigurt që pas datës 3 nuk do jeni më kështu sepse në fund të fundit gjykata do marrë vendim”, tha Balla.

“Meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare”, u shpreh Berisha.

Revolta e Berishës shkoi edhe më tej duke i dhënë një tjetër paralajmërim kryeministrit Rama në përballjen që tha se e pret me revolucionin e 3 Marsit.

“Në çdo rast, marshi drejt Surrelit, do jetë marshi ynë”, tha ai.

Ndonëse deputetët e opozitës nuk u lejuan të futen edhe këtë të enjte në parlament, Berisha, i cili është i përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare, u kujdes t’i japë mesazhin e radhës kreut të qeverisë.

“Për tre minuta, jemi brenda në parlament. Po vendosëm, jemi në sallë”!

Sërish demokratët kërkuan ankimim të vendimeve për përjashtimet e bëra nga Komisioni i Etikës, por vendimi i byrosë ishte i njëjtë, si ai i të enjtes së kaluar.

“Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të deputetit”, tha deputeti Luçiano Boçi.

“Së pari një minutë heshtje për Edmond Spahon që ra në Komisionin e Etikës si një revolucionar i vërtetë”, u shpreh ministrja Elisa Spiropali.

Opozita kërkoi ngritjen  e komisionit hetimor për çështjen “McGonigal”, interpelancë me kryeministrin dhe zhvillimin e mocionit me debat. Në kundërpërgjigje socialistët i kujtuan dakordësinë e arritur në seancën e kaluar plenare.

“Kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë. Kemi dy javë që e kërkojmë”, tha Boçi.

“Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2, por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Këtë e kemi thënë në seancën e shkuar”, tha Balla.

Për afro dy orë nuk munguan debatet mes palëve dhe tensionet në sallë, ku opozita sërish bllokoi foltoren e Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button