Putin paralajmëroi se do të shtojë forcat bërthamore
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do t’i kushtojë më shumë vëmendje shtimit të forcave të saj bërthamore, duke iu drejtuar festës kombëtare të Mbrojtësit të atdheut, një ditë para përvjetorit të fillimit të pushtimit të Ukrainës, raporton Reuters, transmeton Portalb.mk.
Komentet e Putinit pasojnë pezullimin e tij të një traktati dypalësh të kontrollit të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
“Si edhe deri më tani, ne do t’i kushtojmë vëmendje të shtuar forcimit të treshes sonë bërthamore,” tha Putin, duke iu referuar raketave me bazë tokësore, ajrore dhe detare.
Putin tha se raketat balistike ndërkontinentale Sarmat – armë të afta për të mbajtur koka bërthamore të shumta – do të vendosen për herë të parë këtë vit.
“Do të vazhdojmë prodhimin masiv të sistemeve hipersonike ajrore Kinzhal dhe do të fillojmë furnizimin e raketave hipersonike Zircon, të stacionuara në det,” tha Putin në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini.
Rusia do të fillojë stërvitjet ushtarake me Kinën në Afrikën e Jugut të premten dhe ka dërguar një luftanije të pajisur me raketa hipersonike.
Përpara përvjetorit të nesërm të pushtimit të Ukrainës, Putin dhe presidenti amerikan Joe Biden u përfshinë në grindje verbale, duke nënvizuar tensionet globale midis superfuqive.
Të martën, Putin pezulloi ‘New START’ (Traktat për Reduktimin e Armëve Strategjike) me Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar ato se e kthejnë luftën, duke armatosur Ukrainën, në një konflikt global.
Në një vizitë të papritur në Kiev të hënën, Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO po mbrojnë demokracinë dhe lirinë në Ukrainë.