Putini dekreti ligjin që parashikon dënim të përjetshëm për akuzat për tradhti

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot një dekret që parashikon një rritje të dënimit maksimal për tradhti deri në burgim të përjetshëm. Kjo është masa më e fundit e ndërmarrë nga Kremlini që nga fillimi i luftës në Ukrainë, si pjesë e një përpjekjeje për të shtypur disidencën në vend, transmeton VOA.

Dekreti u postua në faqen e internetit të Kremlinit. Ligji kishte marrë më parë miratimin e ligjvënësve, të cilët kishin votuar pro rritjes së dënimit maksimal mbi akuzat për tradhti deri në burgim të përjetshëm, nga 20 vite që parashikohej më parë në ligj. Ligjvënësit miratuan gjithashtu rritjen e dënimit maksimal për kryerjen e “një akti terrorist”, i përcaktuar si një vepër penale që rrezikon jetë e që kishte për qëllim destabilizimin e Rusisë, nga 15 në 20 vjet.

Ata që shpallen fajtorë për sabotim mund të dënohen me 20 vjet burg, nga 15 që parashikonte ligji, ndërsa personat e dënuar për “terrorizëm ndërkombëtar”, rrezikojnë të dënohen me burgim të përjetshëm, nga 12 vjet aktualisht. Dekreti nuk shpjegon se çfarë është “terrorizmi ndërkombëtar”.

Putin nënshkroi dekretin në një kohë kur grupet e të drejtave thonë se autoritetet po shtojnë përpjekjet për të qetësuar zërat e paktë opozitarë që kanë mbetur në vend.

Rusia thotë se ligje të tilla janë të nevojshme për të mbrojtur vendin nga ndërhyrja prej elementëve që mbështeten nga Ukraina dhe agjencitë perëndimore të zbulimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button